Pacientët e siguruar do të përfitojnë edhe nga privati
Pacientët e siguruar do të mund të përfitojnë shërbim shëndetësor jo vetëm në shtet, por edhe në privat. Paketa shërbimesh, por edhe kujdes i specializuar shëndetësor nuk do të merret vetëm në institucionet publike, por edhe në ato private. Risia është publikuar dje në formën e një drafti nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. ISKSH-ja ka njoftuar se është në proces të reformimit tërësor dhe në këtë kuadër përfshihet hartimi i një pakete të re ligjore. Ndryshimet e pritshme janë hedhur në një draft përgatitur nga kujdesi shëndetësor. "Për herë të parë, projektligji dhe projektstatuti parashikojnë kontraktimin me shërbimin privat, duke futur elementin e konkurrencës, i cili padyshim do të sjellë një cilësi më të mirë shërbimi për pacientët. Do të krijohet regjistri i ri i dhënësve privatë të shërbimit, i cili do të përfshijë vetëm subjekte të licencuara dhe të akredituara nga organet përkatëse për dhënien e shërbimit shëndetësor", tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, më tej, do të jetë Këshilli Administrativ ai që do të miratojë metodat dhe kriteret e kontraktimit për dhënësit e shërbimeve shëndetësore, duke stimuluar aksesin e shërbimeve, efektivitetin e kostos së tyre dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj popullatës. Sipas draft-statutit, financimi i shërbimeve shëndetësore do të bëhet përmes paketave të mirëpërcaktuara të shërbimeve, të cilat do të përfshijnë: vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe në spitalet publike. Këshilli administrativ, përmes komisioneve teknike të krijuara prej tij, luan një rol të rëndësishëm në procesin e hartimit të paketave të shërbimeve që do të rimbursohen nga institucioni gjithmonë duke u bazuar në aftësitë paguese të buxhetit.