E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në bujtinat e Qytetit Studenti

Ndodhet vetëm pak kilometra larg Rrugës së Elbasanit në Tiranë. Për shumë vite kjo zonë ka shërbyer si qendër banimi për studentët e ardhur nga rrethet. Vetëm këtë vit në ambientet Qytetin e Studentit do të banojnë plot 6 mijë e 500 studentë të rinj. Nga viti në vit janë bërë një sërë ndryshimesh, kryesisht me infrastrukturën e jashtme. Fasada e saj sa vjen e duket edhe më e bukur. Rrugicat e ngushta që të çojnë te dyert e bujtinave, këtë vit janë të shtruara me asfalt, ndërkohë që sipërfaqet e gjelbra janë shtuar. Pemët dhe palmat e mbjella ndodhen pothuajse në të gjithë territorin e Qytetit Studenti.

Ato që të bien në sy janë stolat dhe parqet ku studentët çlodhen, flasin me njëri-tjetrin apo hera-herës organizojnë edhe ndonjë aktivitet. Kudo sheh të rinj e të reja që të mbushin me frymëzim dhe të bëjnë të ndihesh gjallë. Ekziston një frymë e ngrohtë dhe mikpritëse nga ana e tyre. Gjithçka nga jashtë duket e pastër dhe e vendosur aty ku duhet. Të krijon pamjen e një qyteze ku mund të gjesh lehtësirat e nevojshme për të jetuar pavarësisht problemeve apo shqetësimeve që kanë banorët, njësoj si në zonat e tjera të kryeqytetit.

Imazhi i kësaj qendre banimi është ajo që të bën përshtypje dhe të krijon idenë se këtu është bukur të jetohet. Por nuk mjafton vetëm optimizmi dhe gjallëria për të jetuar bukur. Historia fillon pikërisht këtu...

Kushtet

Fytyrat shpeshherë u shprehin sa gjallëri, aq dhe "trishtim" për shkak të kushteve të vështira, në të cilat jetojnë. Përshtypjet e para janë sa të bukura aq edhe "rrëqethëse"...

Vetëm kur prek nga afër jetën e përditshme të studentëve, kur sheh se në çfarë kushtesh banojnë "të shkretët", je në gjendje të kuptosh se sa e vështirë është jetesa e tyre. Teksa afrohesh më shumë për t‘u njohur edhe me pjesë të tjera të Qytetit Studenti, ti fillon të dallosh problemet e para që të tërheqin menjëherë vëmendjen. Bujtina numër 1, 2, 3 e kështu me radhë janë të emërtuara ndërtesat ku jetojnë studentët, të cilët para se të shpërngulen nga shtëpia nënshkruajnë me Drejtorinë e QS-së një kontratë qiraje. Disa prej tyre janë të lyera, ndërsa të tjera janë të dala boje, për shkak të lagështirës.

Pothuajse në çdo anë të ndërtesave sheh lagështirë dhe mure të rëna. Të pakta janë ato ndërtesa me mure të lyera, pa suva të rëna apo pa plasaritje. Shumë prej studentëve jetojnë në këto kushte, për shkak se nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë shtëpi me qira. Vështirësitë janë nga më të ndryshmet, e megjithatë, ata janë përsëri të detyruar të jetojnë në këto godina për të cilat pagesa nga viti në vit ka ardhur duke u shtuar.

Godinat

Po të futesh brenda godinave ku jetojnë të rinjtë, pamja optimiste e Qytetit Studentit të kthehet menjëherë mbrapsht.

Bujtina numër 1, e djemve, është gjashtëkatëshe, me përafërsisht 50 dhoma gjithsej. Këtë vit numri i studentëve në dhoma është reduktuar. Vitet e kaluara në një dhomë jetonin mbi tre studentë dhe kjo ka sjellë probleme të vazhdueshme. Nisur nga kjo, Drejtoria e Qytetit Studenti ka marrë një vendim për të mos lejuar mbi tre veta në një dhomë. Megjithatë, kjo nuk përjashton rastet kur në dhoma ka ende më shumë se 3 veta, zgjedhje kjo e vetë studentëve, edhe pse bie në kundërshtim me rregulloren e drejtorive të konvikteve.

Shqetësimet

Shqetësimet e studentëve banues në këtë qytet janë nga më të ndryshmet. Ata shprehen të pakënaqur sidomos me kushtet e tualeteve, që siç thonë ata "janë për të qarë hallin". "Mirë që nuk kemi lavaman në dhoma, që është më se i domosdoshëm, po edhe ato që janë në tualete janë vetëm 3 për çdo kat. Më duket e pamundur që 3 lavamanë për çdo kat të përballojë atë fluks studentësh", tha Enver Bylykbashi, student banues në godinën numër 1, të djemve. Sipas tij, ky është një nga shqetësimet më të mëdha për të cilin nuk po merret ende asnjë masë. Numri i dusheve është 7 për gjashtë katet e konviktit. Tre prej tyre janë rinovuar dy vjet më parë, ndërsa 4 të tjerët vazhdojnë të jenë të vjetra dhe me probleme. "E keqja është se në dimër hasim vështirësi për të pasur ujë të ngrohtë, për shkak se nuk ndizen kaldajat dhe dushet nuk ngrohen", thekson Erisa, studente banuese në godinën numër 24 të vajzave. Kudo qarkullonte i njëjti shqetësim. Por ende nuk është marrë asnjë masë për të përmirësuar këtë gjendje alarmante, siç e quajnë vetë studentët. Sikur të mos mjaftonin këto, shfaqen raste të tjera problematike, që e bëjnë edhe më të vështirë jetën e të rinjve që banojnë në këto mjedise.

Në fytyrat e tyre dallon dëshirën e madhe për të bërtitur, por me shpresën që dikush t‘i dëgjojë dhe të kujtohet për ta.

Ushqimi

Ka vetëm një mensë shtetërore për gjithë këtë qytezë.

Studentët thonë se kushtet e higjienës janë të mira, por ushqimi lë për të dëshiruar. Çmimet janë të lira për xhepin e studentëve, por kjo nuk e justifikon atë që ato hanë. "Për fat të mirë janë mensat private. Unë aty ha zakonisht. Edhe çmimet nuk janë të shtrenjta, por të paktën ha pa merak", tha një tjetër studente banuese në godinën numër 24. Pjesa më e madhe e studentëve banues në këtë qytet pohonin të njëjtin fakt. Ato janë të pakënaqur nga gatimi i mensës shtetërore të Qytetit Studentit, kështu që si rrugëzgjidhje u mbetet vetëm të ushqehen në shërbimet private ose të thyejnë rregullat dhe të gatuajnë brenda në dhomë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›