E Diel, 1 Nëntor 2026

GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR, Ciko: Një shfaqje që ngacmon kohërat.....

Baleti do të vijë premierë në skenën e operës në datat 11, 12,14 dhe 15 mars
Baleti Gjenerali i ushtrisë së vdekur bazuar mbi romanin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare do të vijë premierë në skenën e operës. Baleti bashkëkohor mban firmat më të rëndësishme të artit shqiptar, si dhe me krijues francezë me libret të ndërtuar mbi romanin më të famshëm të literaturës shqiptare të njohur në botë. Premiera vjen në skenë me muzikë të njërit prej kompozitorëve shqiptarë më të rëndësishëm dhe më të ekzekutuar brenda dhe jashtë Nikolla Zoraqi (1929-1992), në 80-vjetorin e lindjes së tij, si dhe koreografi të mjeshtrit të koreografisë dhe baletit shqiptar Agron Aliaj. Kjo shfaqje baleti vjen me një vizion të ri hapësinor dhe trajtim skenik nga skenografi Valerio Ferrari (Francë), ndërkohë kostumet janë realizuar nga Anne Brault. Bashkëpunëtor dhe konsulente e koreografit është Laura Frigato. Gjenerali i ushtrisë së vdekur do të jetë nën interpretim nga solistët Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ledian Agalliaj, Diona Gjinika, Ezdalin Gorani, Manjola Hasani, trupa e baletit, Orkestra Simfonike e T.K.O.B. Dirigjenti i shfaqjes do të jetë Bujar Llapaj. Vepra realizohet nën një redaktim të ri nga prof. Zhani Ciko Drejtor i Përgjithshëm i T.K.O.B. Gjenerali i ushtrisë së vdekur do të shfaqet për publikun në datat 11, 12, 14dhe 15 mars. Veprat madhore letrare ngacmojnë përjetësisht krijimtarinë e gjerë artistike dhe ato nuk rreshtin së shfaquri herë mes ngjyrash a formash plastike, herë përmes tingujve a lëvizjeve e shpesh në epokën moderne përmes celuloidit, do të shprehej për veprën titullari i këtij institucioni Zhani Ciko. Duke folur për veprën ai do të theksonte se: Versione pas versionesh kanë ardhur, vijnë e do të shfaqen sërish me thelbin e tyre që ngacmon kohërat. Si nukël me forcë shpërthyese ajo çfarë është eterne (e përjetshme) në idenë thelbore gjeneron vetvetiu potencë implementimi, kundrimi, transformimi si në rrafshin e përshtatjes me atë që i themi filozofi e kohës, ashtu dhe në rrafshin e gjenerimit të ashtuquajturës modë të formësimit të ideve që gjithashtu transformohet pa reshtur. Çdo absolutizim i gjykimit në art lidhur me pavlefshmërinë e krijimeve qoftë dhe të epokave apo rrymave artistike të gjykuara sipas disa kanoneve jashtë artistike si të shterpëta, dekadente apo dhe në të kundërtën të glorifikuara a mbivlerësuara, është i përkohshëm sa kohë ndryshojnë vlerat që mbartin realitetet e zhvillimeve shoqërore a historike. Sipas tij rivlerësimet e artit antik a shprehjet e artit prehistorik, rivlerësimi dhe ngacmimi i ideve të kohës moderne përmes barokut deri tek rizbulimet edhe mbas qindra vitesh të kryeveprave që na habisin edhe sot me atë çka na thonë përmes muzgujve të kohës, janë tashmë realitet i pakontestueshëm e që nuk dallojnë se nga cila epokë vijnë, kujt i adresohen dhe ku shkojnë. Ajo që praktika jetësore artistike e ka vendosur tanimë si postulat e saj, dhe që është determinuese për këtë proces rizbulimi është kujdesi profesionalisht i saktë për trajtimin, evidentimin apo dhe riinterpretimin e tyre. Bashkimi i atyre që duken si kundërshti mes rizbulimit dhe riinterpretimit që shpesh është gjendur përmes modernitetit të kohës kur ka ndodhur ky proçes, ka rezultuar si rruga më e suksesshme dhe përgjithësisht më atraktive. Ndërsa dhe rruga e minuciozitetit të rijetësimit përmes saktësive arkivore a muzeale, shumë më e komplikuar e disi abstrakte për kohë, mbetet dukuri më e rrallë, por gjithashtu e vlefshme historikisht , tregon ai. Në rrugën krijuese jo vetëm të artistëve me përmasa universale, por edhe të emrave të tjerë profesionalisht dinjitozë si dhe në art, ka skuta krijues a të trajtimeve krijuese që nuk vijnë të shfaqura hapur, do të shtonte më tej titullari Ciko, duke theksuar se: Arsye të shumta po ti studiosh bëjnë që shumë zgjedhje a zgjidhje që në të vërtetë janë thelbi i mjeteve shprehëse apo dhe burim i ngacmimit krijues të vijnë si të thuash jo në plan të parë, por përmes shtresash a mbulesash, këto o të imponuara o të preferuara nga vetë autori. Arsyet janë të ndryshme por jo të paidentifikueshme. Sa më sipër ka patjetër referim edhe me versionin e ri të baletit Gjenerali i ushtrisë së vdekur që mban autorësinë e trinomit Kadare Zoraqi-Aliaj. Eterne është leit tema e romanit shumëdimensional të Kadaresë, e cila mund të quhet zanafilla e rrjedhës moderne të letërsisë sonë me atë komunitare. Sot më tepër se kurrë kuptohet etja e binomit erruptiv krijues Zoraqi-Aliaj sidomos pas disa bashkë krijimesh skenike në atë kohë jo vetëm të suksesshme publikisht dhe pa asnjë suporti, si thuhet sot . Duke folur mbi premierën që do të vihet në skenë pas disa ditësh drejtori Zhani Ciko ndër të tjera theksoi se të prekje Mitin e Gjeneralit i shndërruar sa në dramatizime e bashkëprodhime të rralla për kohë, madje dhe të pakuptueshme për mentalitetet e nxitura artificialisht atëherë, duhej kapacitet, por edhe shumë guxim. Të dyja këto cilësi ishin tepër intriguese për ti hyrë sprovës, por patjetër dhe mëdyshjes deri në fund. Ishte koha kur me zjarrin mund edhe të luhej, por duke llogaritur edhe mundësinë ekstreme. Vetë Gjeneralin. Dallgët herë e nxirrnin në sipërfaqe dhe herë e mbulonte shkuma e tyre. Më së shpeshti binomi apo dhe trinomi ynë ishte më shumë i toleruar sesa i preferuar. Drama e rikonfirmimit të vazhdueshëm pas çdo errupsioni krijues ishte diçka jetike në kuptimin më të gjerë dhe sigurisht sfilitëse për autorët. Ishin vitet kur imponimi i ideve dhe trajtimi i tyre ishte strikt, kur dallga e kohës nuk shkonte drejt lartësimit por drejt fundosjes. 1977, para dhe pas, vite të cikleve plenumore më të egra dhe që privacionet në sensin e gjerë i kishin thuajse të njëjta si për ata që ishin brenda ashtu dhe për ata që mbijetonin jashtë. Tamtamet dhe flamujt maskonin realitetin, shprehet titullari i T.K.O.B. Ajo çka ndodhi më pas me vendosmërinë për ta realizuar koreografikisht Gjeneralin, por duke evidentuar si linjë kryesore jo dramat njerëzore të konflikteve që gjenerohen pandalshëm dhe rezistencës humane për vijueshmërinë e jetës, fateve dramatike a tragjike individuale asi kohësh por dhe kontributit kolektiv për përballimin, tregon Ciko, u zhvendosën si koracë mbrojtje pas sloganeve ne ndërtojmë, ecim përpara thotë fabrika e re, njerëzit e rinj etj, këngës së kooperativisteve që i këndojnë bukurive të tokës, thirrjes për të kryer shërbimin ushtarak etj. Përmes shumë artificeve ata fshehën ngacmimin artistik që i ngjallte kjo vepër. Atë e respektuan dhe e ruajtën brenda skenave ambalazhuese e ku nuk binte në sy as moderniteti as kërkimi i një gjuhe të avancuar për kohën e diçka më pas për të cilën u përpoqën të jenë të matur por as dimensioni i së vërtetës, vijon më tej titullari Ciko. Operimi për të zbuluar atë çka është e vërteta e leximit muzikor e koreografik të veprës së Kadaresë në kushtet kur dallimi mes faqeve muzikore që ngërthejnë atë që ka buruar nga romani dhe asaj që i është ngarkuar artificialisht apo ekzagjeruar për mosdjegien e krijimit, përligj një version rizbulues dhe që sjell në evidencë natyrën e vërtetë të krijimtarisë Zoraqi, venën krijuese të kompozitorit pasionant e të ngërthimeve të mëdha dramatike me koreografinë ende në fertilitet të Aliajt. Sjellja në parametra të zhvillimeve skenike aktuale ndërkombëtare, që për krijime të këtyre përmasave është më se e nënkuptueshme i ka sjellë këtij versioni të ri interesin e riinterpretimit të veprës dhe dëshirën për të mos bërë vetëm një homazh honorifik në 80-vjetorin e lindjes së Nikolla Zoraqit, por për të ndihmuar në rivlerësimin e vlerave që meritojnë të mbeten në fondin e asaj që në fund të fundit është vlerë.

*****************************************
Të dhëna mbi kompozitorin Nikolla Zoraqi

Artisti i popullit lindi në vitin 1929 dhe u nda nga jeta në vitin 1991. Kompozitori gjatë karrierës së tij dha një kontribut të veçantë në zhvillimin e muzikës së re shqiptare. Provoi thuajse në të gjitha gjinitë muzikore, që nga kënga tek opera, nga miniature instrumentale tek koncerti, baleti e simfonia. Në të gjitha këto gjini pati arritje të rë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›