E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Kadarenë “komunist” apo modern?!



Në studion e tij të punës janë një palë këpucë që i duhet të vrapojë këto ditë nga shtëpia në Opera dhe mendja që i duhet të riprodhojë një vepër si ajo e Kadaresë, regjisori italian Valerio Ferrari çuditet; si ka mundësi që “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” t’i ketë rezistuar diktaturës, po ashtu dhe shkrimtari? Pasi ka lexuar librin e “Gjeneralit...” dhe i ka hedhur një sy edhe filmit, Ferrari është gati të bëjë baletin, atë shqiptar sigurisht. Por me një ndryshim të madh; nuk është më gjenerali i vjetër, ai i soc-realizmit, kur dhe kjo vepër është realizuar për herë të parë në skenën tonë, diku nga vitet ’70-të. Ferrarin, që e mahnit koha e ngadaltë e shqiptarëve, pra koha e artistëve tanë se sa shumë u duhet të punojnë mbi një vepër, thotë se do të kemi një gjeneral krejtësisht modern. Një Kadare i përkthyer në gjuhën e baletit modern. Është një shfaqje baleti, e cila pritet të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit më datë 11 mars. Valerio Ferrari është një skenograf, i cili duke përfituar nga raportet dhe respekti reciprok i krijuar spontanisht me shqiptarët, vjen për të pestën herë nga skenat italiane, franceze, në një tjetër bashkëpunim artistik. Në një intervistë për “standard” ai na tregon mbi eksperiencën më të re dhe impresionet që e shoqërojnë në çdo moment me veprën e Kadaresë, shqiptarët, komunizmi, folklori, këngët, etno... etj.

Z. Ferrari, ju riktheheni për një tjetër bashkëpunim me TKOB. A mund të na tregoni idenë e kësaj iniciative?

Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri, pasi kam qenë edhe herë të tjera. Në të vërtetë, kjo është hera e pestë për mua. Unë kam ardhur në Shqipëri gjatë kohës kur po kërkoja një kompozitor dhe në këtë mënyrë do të bëja një vepër bashkëkohore. Fillimisht kam takuar profesor Aleksandër Peçin, me qëllim që të realizonim një trilogji së bashku në vitin 2000 operën “Oirat”, ndërsa në vitin 2006-n kemi vënë veprën “Terra Tondo”. Këto janë bashkëpunime që janë bërë në Akademinë e Arteve, si dhe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Dy vite më parë më kanë kërkuar që të bashkëpunoj edhe me koreografen franceze, me të cilin kemi dhënë një shfaqje shumë të bukur. Është fjala për shfaqjen “Vajza me sy smeraldi”.

Kjo ishte një ftesë, apo jo?

Po është një ftesë nga drejtori i Operës, Zhani Ciko, për të bërë një riporidhim bashkëkohor të këtij baleti, duke u mbështetur në veprën e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Kjo është një vepër, e cila është shkruar në vitet ’60 dhe unë jam këtu, me qëllim që ngjarjen e trajtuar në brendësi ta bëjmë më kontemporane.

Si e keni pritur ju këtë ftesë, meqë ju ktheheni për të disatën herë?

Me kalimin e viteve, përderisa unë kam ardhur prej pesë herësh këtu në Shqipëri, spontanisht kam krijuar një raport të mirë respekti dhe reciprok me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë mund të them se e kam pritur mjaft mirë këtë ftesë bashkëpunimi. Kam vënë re se në teatrin shqiptar ka më tepër avantazh për të punuar, sepse ke më tepër kohë në dispozicion që të mund të krijosh, ndërsa në teatrot italiane dhe franceze nuk të jepet kjo lloj mundësie, sepse koha është shumë herë më e shkurt. Gjithçka duhet ta bësh shpejt dhe në mënyrë të prerë. E pikërisht nga ky lloj mekanizmi nuk krijohet ajo çka ne mendojmë të vëmë në skenë, ndërsa këtu na jepet mundësia që në të njëjtën kohë edhe ta shikojmë për disa herë shfaqjen, ende pa na zënë data e caktuar.

Atëherë pse nuk e përhapnin aktivitetin tuaj, meqenëse paska më tepër avantazhe se në skenat e huaja?

Më pëlqen të punoj këtu, por unë kam familjen time, jetën time të vendosur diku tjetër.

Çfarë mund të përfitoni nga bashkëpunimi me ne, shqiptarët?

Së pari, është ajo çka theksova edhe më sipër. Kam më shumë kohë në dispozicion dhe më shumë mundësi për të krijuar në një vepër, siç është rastin konkret “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Ju po vini në skenë një prej veprave më të njohura të Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. E keni lexuar këtë vepër?

Po, sigurisht që e kam lexuar dhe nga ky libër unë kam nxjerrë disa nga pjesët më të rëndësishme dhe më të dukshme për t’i përshtatur më pas me skenën. Është një libër shumë i bukur dhe shumë interesant. Në brendësi të faqeve të tij kam lexuar një ngjarje, ku me anë të konceptit tim si skenograf, unë e ka përshtatur në mënyrë më moderne, pavarësisht se kjo është shkruar rreth 40 vjet më parë. Në këtë vepër më ka bërë përshtypje edhe fakti që në një kohë kur dominonte sistemi totalitar, Kadare ka arritur të shkruajë kaq lirshëm në të shprehurit e ideve dhe rrjedhës së fjalëve.

Cilët janë elementët bazë të konceptimit të veprës, nga ju si skenograf?

Janë disa elementë, nëpërmjet të cilëve unë arrij të transmetoj në mënyrë përgjithësuese veprën e njohur të Kadaresë. Kam vendosur që në skenë të përdor detaje si një grumbull me dhe, ku në brendësi do të gjenden eshtrat e gjeneralit të huaj. Për mua ky gjeneral që vjen në Shqipëri është një njeri i sjellshëm, por gjesti i tij është shumë i dhunshëm për shqiptarët. Kjo, për arsye se duke gërmuar, ai arrin të plagosë ndjenjat e shqiptarëve që ndihet edhe në momentin e nënës Nicë. Kështu, të gjithë këtë varg ngjarjesh ne kërkojmë që ta minimizojmë. Në libër janë më tepër se 200 faqe dhe më së shumti mendojmë të shkurtojmë rastin e gërmit, prostitucionit, dezertorët e luftës. Ka shumë personazhe në histori, kështu që është më mirë që t’i sjellim në pikëpamjen e elementëve kolektivë.

Cilët janë elementët që janë “censuruar” në vepër?

Drama e Nicës nuk është shumë e detajuar, por do të përcillet thjesht si episod. Kam menduar ta përgjithësoj dramën e momentit, ku nëna humbet vajzën e saj për hir të çnderimit, si dhe momentin e organizimit të dasmës shqiptare. Këtu, kemi të bëjmë me kontrastin mes gëzimit në njërën anë me mbërritjen e gjeneralit dhe anëve të tjera që ju do t’i shikoni në shfaqjen e baletit.

Ju thatë që disa episode i keni përgjithësuar, pse?

Në vepër shkrimtari Ismail Kadare ka shumë elementë përgjithësues. Unë jam bazuar thjesht në idenë që ka pasur autori në libër, kam transmetuar më shumë elementë universalë sesa detaje të veçanta, pasi kjo është ajo çka kërkon një minutash i shkurtër kohor në një skenë teatri. Mund të them se një pjesë të mirë të shfaqjes do të zërë edhe interpretimi i balerinëve të Ansamblit të Valleve Popullore në TKOB. Ata do të luajnë gjatë kohës së episodit të dasmës, pasi është një moment që e kërkon për t’u bërë sa më i përshtatshëm në skenë. Është shumë interesant si bashkëpunim, pasi ata do të na sjellin vallen e viteve ‘60 si një harmonizim me anë të folklorit dhe modernes.

Në vitet ‘70-‘80 në skenën e teatrit të operës është vënë edhe një herë ky balet, por me të tjerë përfaqësues. A mund të na thoni se cilët janë ato elemente që keni përdorur për të mos rënë në përsëritje?

Nuk e kam parë këtë vepër.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është edhe film, po këtë e keni parë?

Po, filmin e kam parë. Është vërtet një film i bukur, madje shumë më i bukur se bashkëpunimi italian.

Çfarë elementesh keni marrë nga filmi?

Nuk mund të them se kam marrë ndonjë element nga ky film, për shkak se unë e kam blerë DVD-në pasi kisha filluar punën me veprën. Pastaj, unë jam mbështetur vetëm në libër, aty ku të njëjtën gjë kanë bërë edhe regjisorët e filmit. Por gjithsesi, mund të them se ky është një balet dhe duke qenë i tillë, ka disa pjesë që duhen me patjetër të jenë të pranishme në skenë. Është fjala për kostumet, të cilat janë të njëjta edhe në film.

Pasi keni studiuar veprën e Kadaresë, keni parë edhe filmin, tani ju po e vini në skenë në gjininë e baletit, një histori të mbështetur mbi traditat, folkun etj. Çfarë keni mësuar mbi këtë libër për shqiptarët?

Ajo që kam mësuar dhe më ka bërë më tepër përshtypje është se ju keni një traditë të pasur dhe të rëndësishme. Më impresionojnë këngët e dy krahinave, që kanë elementë shumë karakteristikë, si këngët e Shqipërisë së Jugut, ashtu edhe ato të Veriut. Pra, siç edhe ju e dini, po flas për këngët labe, me “o” të zgjatura, por edhe ato krahinore të veriut që mbartin të veçantat e tyre. Mendoj se folklori është një pasuri që duhet mbrojtur jo vetëm në ato raste kur duam të mbështetemi, por po flas edhe për gjëra të tjera që karakterizojnë popullin tuaj.

Cili është kulminacioni i veprës?

Nuk mund të them asgjë mbi këtë pyetje, sepse në të kundërt do të humbiste vlera dhe surpriza e shfaqjes. Por gjithsesi, mund të bëj të ditur se ka skena shumë të forta dhe spektakolare. Më shumë se kaq nuk mund të zbuloj asgjë, pasi duhet të vini dhe t’i evidentoni vetë në shfaqje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›