E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkodër, bombë me telekomandë në një pallat

16/12/2004  Banorët e lagjes "Skënderbej" në qytetin e Shkodrës zbulojnë në shkallët e një pallati një bombë me telekombandë. Ndërsa municioni është larguar menjëherë nga zona e banuar, policia nuk konfirmon gjetjen e tij.

Bomba

Në fillim askush nga banorët e pallatit të rrezikut nuk ka menduar se pakoja e mbështjellë dhe lëshuar pa kujdes në hyrjen e ndërtesës ishte lëndë eksplozive. Aq më pak tejet e rrezikshme. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se ndërtesa në fjalë gjendet në lagjen "Skënderbej", pak metra larg stacionit të trenit. Pasi bomba u përball me shumë kalimtarë që hynin e dilnin nga pallati gjatë gjithë kohës që ajo ishte vendosur atje, dikush, ka gjasa që të ketë qenë fëmijë, u bë kurioz të dinte se çfarë gjendej në pakon e çuditshme. Me frikën e vet prej të vogli, ai nuk ka mundur të rezistojë pa ulëritur. Britma e vogëlushit mblodhi në hyrjen e pallatit shumë banorë si dhe kalimtarë të lagjes. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se u kuptua lehtësisht se nuk bëhej fjalë për një bombë të thjeshtë por për një municion të sofistikuar me telekomandë. Fatmirësisht, banorët nuk u rrezikuan nga aktivizimi i saj, pasi pasojat do të ishin katastrofike nëse do të ngjiste një gjë e tillë. Të pranishmit në vendin e ngjarjes dyshuan se ajo do të qe braktisur aty nga ndonjë person që e dispononte, por që kishte frikë nga policia për ta mbajtur. Nuk dihet ende sesi u largua bomba nga godina e banuar. Sakaq, organet e rendit e mohojnë praninë e saj në pallat, duke e motivuar me faktin se në drejtorinë e policisë së Shkodrës nuk ka patur asnjë sinjalizim për gjetje bombe në lagjen "Skënderbej".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›