E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raketat, arratisen jashtë Shqipërisë dy trafikantë

16/12/2004  TIRANË -I përsosur, por jo perfekt. Aksionit policor për arrestimin e trafikantëve të raketave që u kapën në afërsi të Tiranës katër ditë më parë, i kanë shpëtuar dy persona të përfshirë në trafik. Hetuesit e kishin parashikuar një mundësi të tillë, edhe pse kishin marrë masa për të bllokuar komunikimin mes trafikantëve të mjetëve të rënda luftarake “STRELA 2M” dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Dy trafikantët kanë arritur të shpëtojnë nga prangat për mrekulli, pas një komunikimi me bashkëpunëtorët e tyre, që kishin hyrë në grackë, pasi policia u kishte ngritur pritën në afërsi të Tiranës. Gjithçka ndodhte në Prezë, pak minuta larg Tiranës, kur forcat speciale katër ditë më parë ndaluan makinat, në të cilat u gjendën predhat kundërajrore. Të njoftuar nga bashkëpunëtorët për “vëmendjen e tepruar” të policisë, dy të shpëtuarit e aksionit i kanë dhënë drejtim tjetër makinës dhe kanë braktisur detyrën që kishin marrë për të ruajtur mjetin, ku ndodheshin rraketat “STRELA 2M”.

Ikja

Prokuroria nuk dha informacion për mënyrën se si ishte bllokuar komunikimi me celular mes trafikantëve, pasi tha se është një nga sekretet kryesore të hetimit. Por ata mendohet të kenë komunikuar me radio, që nuk kanë rreze të gjerë valësh. Sipas hetuesve këto radio komunikimi gjenden edhe në tregun e zi, pasi telefonat e tyre, sipas përgjimit, nuk ishin në funksionim gjatë orëve të aksionit për kapjen e raketave. Burimet nga hetimi thanë dje se të dhënat për largimin e dy trafikantëve drejt Malit të Zi apo një vendi tjetër ballkanik, nuk mungojnë. Sipas Prokurorisë, gjashtë persona janë përgjuar prej më shumë se 9 muajsh dhe janë skeduar për trafikimin e armëve. Ata kanë komunikuar me njëri tjetrin për rrugën që do të ndiqnin armët, çmimin, dhe vendin ku ato do të merreshin në Bosnjë.

Trafiku

Prokuroria shkoi më tej dje në hetimin për destinacionin e armëve. Konfirmohet se blerësit e raketave tokë-ajër janë persona të dyshuar për veprimtari terroriste në Irak dhe në Afganistan. Një fakt i tillë konfirmohet jo vetëm nga Prokuroria shqiptare por dhe nga një marrëveshje ndërombëtare mes 40 shteteve të botës. Në këtë marrëveshje, 40 qeveri te globiz, kanë premtuar se do të marrin masa për të penguar rënien e rraketave "STRELA 2M" në duart e terroristëve. Planifikimi i trafikimit të rraketave ishte bërë që me mjete të vogla lundrimi, ngarkesa të nisej në rrugë detare nga bregdeti shqiptar. Italia, përjashtohet ng vendet në listën e tranzitit. Në një largësi të konsiderueshme nga bregu, plani i trafikut përcakton se raketat do të ngarkoheshin nga skafi në një anije transporti dhe më pas do të kalonin një itinerar të gjatë nëpër Mesdhe, deri në bregdetin tjetër, ku mallin e priste një tjetër mjet i vogël lundrimi larg bregut dhe porteve, për t'i shkarkuar nga anija dhe për t'i zbarkuar në mënyrë të fshehtë në një vend të padukshëm të bregdetit.

“Maqedonia s`ishte

destinacioni i raketave”

Ministria e Jashtme dhe policia e Maqedonisë e kanë rrëzuar dy ditë më parë versionin se raketat do të shkonin në qytezën e trazuar të Kondovës, në Veri të kryeqytetit të fqinjit e afërt lindor të vendit tonë. Për t’i dhënë më shumë forcë deklaratës së tij, zëdhënësi i policisë maqedonase deklaroi dje, në qytezën në veri të Shkupit, e cila banohet nga popullsi shqiptare, se destinacioni i raketave nuk ka qenë Maqedonia. Goran Pavllovski, zëdhënës i policisë maqedonase, tha se raketat kishin destinacion tjetër. Ai u shpreh se policia maqedonase në rrugë zyrtare ka biseduar me autoritetet e policisë shqiptare dhe, këta të fundit siguruan se nga hetimet nuk rezultonte që raketat të kishin si destinacion Maqedoninë.

Prokuroria dërgon në Gjykatë materialet e armëve

TIRANË – Në orët e vona të pasdites së djeshme, organi i Prokurorisë ka nisur drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda materialet për katër të pandehurit e akuzuar për trafik të armëve të rënda. Ilmi Isufi, Sokol Mujaj, Armir Troshani dhe Mentor Cani, janë katër të pandehurit, të cilët u vunë në pranga pas një aksioni të fshehtë të policisë. Arrestimi i tyre u bë në flagracë. Dosja në gjykatë, sipas burimeve brenda saj, është dërguar me vonesë dhe ky ka qenë shkaku kryesor që dje nuk është dhënë vendimi për masën e sigurimit. Materialet e Prokurorisë do të shqyrtohen nga gjyqtari Bardhyl Dhama. Ndërkohë, njëri prej avokatëve, Vladimir Meçe, tha dje se klienti Sokol Mujaj, interesat e të cilit ai përfaqëson, është kapur rastësisht. Sipas Meçes, Mujaj nuk ka lidhje me këtë trafik armësh. Po kështu, avokati u shpreh se arrestimi i tij është bërë jo në makinën ku janë gjetur predhat, por në një tjetër makinë. A.Ç

Myftiu i Shkupit:

Ne nuk jemi terroristë

Komiteti parlamentar për sigurimin dhe mbrojtjen në Maqedoni, do të mbajë një sesion urgjent këtë javë për të diskutuar situatën në fshatin Kondovë. Grupi i opozitës kryesore VMRO-DPMNE e kërkoi sesionin parlamentar, duke i bërë thirrje qeverisë të marrë masa për të ndaluar një përsëritje të ngjarjeve të vitit 2001 në Maqedoni. Sipas raporteve të shtypit, militantët e armatosur kanë qenë aktivë në fshatin e ndodhur tamam pranë Shkupit, në perëndim. Në lajme të tjera, të martën, myftiu i Shkupit, Zenun Berisha, mohoi haptazi ekzistencën e lidhjeve me fondamentalizmin islamik. Gjatë një konference shtypi, ai, gjithashtu kundërshtoi dyshimet e shtypit se kishte shërbyer si lidhje midis Al-Kaedës dhe mbështetësve financiarë në Maqedoni. T.S

Dosjet e trafikut të

armëve nga Shqipëria

2001

Gazeta e përditshme amerikane “Nju Jork Tajms”, njofton se në kohën e luftës së Bosnjës disa herë në detin Adriatik janë kapur anije shqiptare, të cilat, pasi janë kontrolluar, është zbuluar se kryenin trafik armësh

8 gusht 2001

Në aksin rrugor Kukës-Peshkopi, arrestohen katër persona, të cilët dyshohet se në një makinë kishin 12 pushkë, 6 automatikë, 2 mitralozë. Kapen 3 trafikantë nga Shqipëria dhe Kosova

16 tetor 2001

Policia boshnjake arreston gjashtë persona për linjën e trafikut të armëve mes Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjës. Dy nga të arrestuarit e dyshuar ishin oficerë të policisë boshnjake, ndërsa njëri kishte punuar për agjencitë e zbulimit. Kapet ngarkesa me 318 pushkë sulmi, 1008 predha mortajash, 512 granata dore dhe municione të tjera

Kukës

Xhafer Krasniqi, 72 vjeç, arrestohet nga policia. Në banesën e tij në fshatin Orçikël, gjenden 5 automatikë dhe 1200 copë fishekësh. Shtëpia e Xhafer Krasniqit mbahej nën vëzhgim si bazë e trafikut të armëve me Kosovën e Maqedoninë

Janar 2003

Ish-ministri Luan Rama, deklaron në analizën e Ministrisë së Rendit se gjatë vitit 2002, policia ka zbuluar 18 raste për trafik armësh dhe municionesh

3 shkurt 2004

Tri persona arrestohen në fshatin Grudë të Malësisë së Madhe. Mes tyre një efektiv policie dhe një ish-polic. Gjenden 300 kg lëndë eksplozive tritol, pushkë dhe fishekë

11 mars 2003

Arrestohet në Rinas, Enver Jusufi, shqiptaro-maqedonas. I dënuar me 7 vjet burg nga Gjykata Tiranës, me akuzën e kontrabandës së armëve, zhvilluar në vitin 2000

30 qershor 2003

Policia greke zbulon një kamion me 500 mijë fishekë, i cili kishte kaluar doganën e Kapshticës. Municionet, sipas hetimeve, ishin vjedhur në vitin 1997 gjatë trazirave

15 gusht 2001

Dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Vlado Buçkovski, akuzon Shqipërinë për përfshirjen e saj në krizën maqedonase, nëpërmjet trajnimit në Shqipëri të njësiteve të guerilëve shqiptarë dhe nëpërmjet trafikut të armëve nga Shqipëria

13 dhjetor 2004

Kapen në Prezë pranë Tiranës tri raketa “STRELA 2M”. Prokuroria tha se ka provokuar blerjen e njërës prej raketave, ndërsa gjatë aksionit u arrestuan katër persona, të cilat thanë se nuk kanë bashkëpunëtorë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›