ISKSH-ja kthen 26 poliklinika me shërbim 24 orë
Shtesat
Dhënia e një shtese prej 1100 lekësh në muaj, për kushte pune për mjekun pediatër që punon në konsultore
Shtesa prej 1000 lekësh në muaj, për kushte pune për vendin e punës infermiere në kirurgjinë vazale
Rreth 26 poliklinika të cilat nuk kanë shërbimin e urgjencës me vendim të ISKSH-së do të kthehen në qendra shëndetësore me shërbimin 24 orë. Gjithashtu, personeli mjekësor që do të shërbejë në këto qendra, do të ketë shtesë 1100 lekë në muaj prej datës 1 janar të këtij viti.
Ndryshimi
Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor gjatë mbledhjes së djeshme ka vendosur shtesat në pagë që do të kenë punonjësit e këtyre qendrave shëndetësore, duke siguruar një shërbim pa ndërprerje për komunitetin. Ky shërbim, i parashikuar në paketën bazë të shërbimit parësor, ofrohet me pagesë shtesë për personelin, duke filluar nga data 1 janar 2009.
“Motivimi i stafit mjekësor do të vijojë të jetë politikë jona, në mënyrë që popullata të marrë shërbim të kualifikuar gjatë 24 orëve dhe në këto qendra që nuk kanë afër një shërbim urgjence”, - u shpreh në mbledhjen e Këshillit Administrativ të ISKSH-së, drejtoresha e përgjithshme, Elvana Hana.
Ky shërbim, sipas marrëveshjes midis ISKSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, do të ofrohet nga 26 qendra shëndetësore të bashkive të kategorisë së tretë, të cilat janë qendra shëndetësore e Urës Vajgurore në Berat; ajo e Klosit në Dibër, e Shijakut, Sukthit, Manzës, Fushë-Krujës, Rrogozhinës në qarkun e Durrësit; Cërrikut dhe Belshit në Elbasan, Patosit, Roskovecit, Divjakës në qarkun e Fierit; Libohovës dhe Këlcyrës në qarkun e Gjirokastrës; Maliqit të Korçës; Kopliku, Vau i Dejës, Fushë-Arrëzi në Shkodër; Orikum, Selenicë, Himarë, Konispol në qarkun e Vlorës; Kamëz dhe Vorë në Tiranë dhe Rubik e Mamurras në Lezhë.
Sipas ISKSH-së, për këtë arsye janë parashikuar pagesat përkatëse për mjekët, infermierët dhe shoferët, që përbëjnë një ekip mjekësor dhe që do të shërbejnë nga ora 20:00 - 08:00. Nga përllogaritjet e bëra nga ISKSH-ja rezulton se kostoja e këtij shërbimi (paga, sigurime shoqërore e shëndetësore, mallra e shërbime) për një qendër shëndetësore në një vit shkon në rreth 1.5 milion lekë, ndërsa kostoja për 26 qendra shkon rreth 39 milionë lekë. Këto shpenzime, sipas ISKSH-së, do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2009 për shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor.
Shtesat
Gjithashtu, parashikohet dhënia e një shtese për kushte pune për mjekun pediatër, që punon në konsultore (pra, që nuk mbulon numër banorësh), shtesë e cila nuk ishte parashikuar në udhëzimin e mëparshëm. Shtesë parashikohet dhe për kushtet e punës në vendin e punës ‘infermiere’ në kirurgjinë vazale. Të dyja këto shtesa, përkatësisht 1100 lekë në muaj për mjekun pediatër në konsultore dhe 1000 lekë në muaj për infermiere në kirurgjinë vazale, përballohen nga buxheti i vitit 2009 i qendrave shëndetësore.
Godo në Durrës: Kriza e medikamenteve kaloi
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka shfrytëzuar analizën vjetore të spitalit rajonal në Durrës për të deklaruar se qendrat shëndetësore në të gjithë vendin e kanë tejkaluar krizën e medikamenteve. Sipas saj, ditët e fundit mbeten për t’u pajisur me ilaçe edhe disa pavijone në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në mënyrë që të plotësohen të gjitha nevojat. Më pas, Godo ka vijuar takimin me mjekët e spitalit të Durrësit, ku dhe ka theksuar se sistemi shëndetësor tashmë është futur në një fazë të re. Sipas saj, reforma që përkon me vetë menaxhimin e fondeve nga vetë stafet mjekësore, do të rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor.
Kartë globale kundër sëmundjeve të rralla
Lufta kundër sëmundjeve të rralla do të bëhet falë një rrjeti global në të cilin parashikohen bashkëpunim mes shkencëtarëve, qendrave spitalore dhe shoqatave të sëmurëve. Në mbledhjen e radhës, të realizuar nga mjekë dhe shkencëtarë, në Romë është arritur në përfundimin se është e domosdoshme hartimi i një kartë globale që të ndihmojë në kurimin e këtyre sëmundjeve dhe që të shërbejë si bazë për trajtimin e mëvonshëm të tyre. Karta është aprovuar dhe pritet të hidhet në qarkullim në disa vende të botës.
Nga të dhënat rezulton se gati 6 për qind e popullatës në të gjithë botën vuan nga sëmundje të rralla. Kurimi i këtyre sëmundjeve vjen gjithmonë e vështirësohet si shkak i mos pasjes së njohurive të domosdoshme nga ana e mjekëve dhe kurave trajtuese. Tek sëmundje të rralla futen kryesisht ato të cilat ende nuk kanë arritur që të vihen nën kontroll të plotë dhe që, për fat të keq, arrijnë të mbeten të tmerrshme për fuqinë e veprimit të tyre. Sëmundje të tilla janë virusin NIPAH, i cili është zbuluar në Malajzi në vitin 1999 dhe ai ka aftësinë që të lëvizë nëpërmjet kafshëve dhe njerëzve.
Ka një aftësi të lartë vdekjeprurëse kur arrin të godasë dhe në fillim të shfaqet si grip. Pastaj vazhdon e prek trurin, duke sjellë pështjellime dhe më pas gjendje koma. Sëmundje tjetër e rrallë është edhe ajo që të shkakton virusi australian i lakuriqit të natës. Deri tani nuk ka kurim për këtë sëmundje. Ndër të tjera, përmendet edhe virusi HHV8, i cili shkakton kancerin e lëkurës. Ai prek kryesisht organet e brendshme të të sëmurëve me SIDA. Virusi Sabia, i cili shkakton ethet e Afrikës. Ky virus njihet fare pak dhe nuk ka trajtim për të deri më tani.
Sëmundje të rralla
Virusi NIPAH, gjendet në Malajzi, shkakton vdekje
Virusi H5N1, gjendet në Lindje, shkakton vdekje
Lyssavirusi, sëmundja australiane e lakuriqit të natës
HHV8, virusi i Sarkomes, shkakton kancerin e lëkurës
Virusi Sabia, shkakton ethet dhe hemorragji, të vdes
Escherichia coli 0157, varianti i tmerrshëm i diarresë
Virusi Guanarito, shkakton ethet, që vijnë nga minjtë