Miratohet rregullorja e Provimeve të Lirimit
Si do të kryhet vlerësimi i tezave dhe si do të përcaktohen mjediset e zhvillimit të provimeve
Ministria e Arsimit ka miratuar dje rregulloren e re të Provimeve të Lirimit, ku përcaktohen detajet e zhvillimit të tyre dhe mënyra e vlerësimit të testeve. Provimet, që do të mbahen më 13 dhe 20 qershor, do të monitorohen nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Në rregullore përcaktohen detajet e vlerësimit, shpërndarjes dhe mbledhjes së tezave dhe mjediset e zhvillimit të provimeve, të cilat janë të ngjashme me ato të Maturës Shtetërore.
Vlerësimi
Në rregullore përcaktohen në mënyrë të detajuar mënyrat e vlerësimit të testeve të provimeve, të cilat janë të ngjashme me ato të Maturës Shtetërore. Sipas rregullores, “vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë” dhe ai do të bazohet “në skemën e vlerësimit të përgatitur nga AVA”.
Rregullorja përcakton edhe kriteret e përzgjedhjes së vlerësuesve. “Vlerësues i jashtëm për PL është çdo mësues i shkollës 9-vjeçare ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi. KPL emëron vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre”, – përcakton rregullorja. Që një test të quhet i vlerësuar, duhet të shihet nga dy vlerësues, të cilët në fund e nënshkruajnë atë. “Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar”, – përcakton rregullorja.
Mjediset
Sipas rregullores së re, mjediset e zhvillimit të provimeve do të jenë të paracaktuara dhe në to duhet të jenë vetëm mjediset mësimore, pa asnjë element shtesë. Sipas saj, mjedise të përshtatshme do të jenë ato mjedise që janë të mjaftueshme për të paktën 15 nxënës, ku “largësia ndërmjet nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri nxënës tek tjetri, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa. Nxënësit ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim”.
Rregullorja përcakton se mjediset duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuar dhe nxënësit të kenë dispozicion për të shkruar të paktën (40 x 60) cm. “Në mjediset ku zhvillohet provimi nuk ka postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Në ditën e provimit nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin”, – përcakton rregullorja.
Këtë vit Provimet e Lirimit do të zhvillohen në të njëjtën metodë me Maturën Shtetërore. Do të jetë Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, institucioni që do të menaxhojë dhe monitorojë këto provime. Ministria e Arsimit ka përcaktuar datat e dhënies së provimeve, që do të jenë 13 qershor për provimin e Gjuhës shqipe dhe Leximit letrar dhe 20 qershor për provimin e Matematikës.
Arsimtarët me master përjashtohen nga kualifikimi
Arsimtarët që kanë kryer master, nuk do të paraqiten në provimin e testimit të 29 marsit për rritje page, sipas rregullores së ndryshuar së fundi. "Të gjithë ata mësues që kanë plotësuar vjetërsinë sipas tri shkallëve të kualifikimit deri më 31 dhjetor 2008 dhe kanë kryer master, e fitojnë menjëherë kualifikimin. Në total, në Drejtorinë Arsimore të Tiranës janë paraqitur rreth 270 arsimtarë që do t’i nënshtrohen provimit për rritje page", - thanë dje burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas rregullores, data e caktuar për të dhënë provimin është 29 marsi. Tashmë programet e testimit sipas lëndëve janë shpërndarë në drejtoritë e shkollave dhe secili mësues mund t’i gjejë ato pranë drejtorisë së shkollës së tij. Gjatë kësaj periudhe, mësuesit që do të hyjnë në këtë proces, do të pajisen me një vlerësim të brendshëm të realizuar nga drejtoria e shkollës dhe një vlerësim të jashtëm nga sektori i inspektimit në Drejtorinë Arsimore Rajonale. Testi i mësuesve do të jetë i specifikuar sipas profilit të tij. Pyetjet e testit do të kenë shumë ndryshime për një mësues të letërsisë, gjeografisë, matematikës, apo mësues të një lënde tjetër. MASH-i deklaron se provimeve të kualifikimit do t’u nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët deri më datë 31 dhjetor 2008 plotësojnë vjetërsinë nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit, nga 10 deri në 19 vjet, për të dytën dhe 20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit. Provimi i kualifikimit nuk ka vetëm qëllime “titujsh”, por do të shoqërohet edhe me stimulime financiare. Për kategorinë e tretë shtesa e pagës është 10 për qind, për të dytën 10 për qind dhe për të parën 20 për qind. Mësuesi që nuk merr pjesë në provim, ka mundësi të hyjë vitin tjetër. Procesi i testimit me shkrim për efekt atestimi, i nisur dy vite më parë, ka si synim ngritjen profesionale të mësuesve sipas devizës së MASH-it: "Gjithçka për nxënësin, duke bërë çmos për mësuesin". Deri dje kualifikimi i mësuesve është bërë në bazë të një udhëzimi të lëshuar 16 vjet më parë dhe kishte degraduar në një avancim automatik në karrierë dhe në pagë, pa u lidhur fare me aftësitë individuale të secilit mësues. Mënyra se si organizoheshin testimet e kualifikimit në Drejtoritë Arsimore Rajonale, ishte formale dhe gjithmonë 100% e atyre që hynin në provim, rezultonin fitues.