E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbyllet “Shijak” televizion

08/03/2005  Ismaili: Apeluam vendimin, por s’u zhvillua asnjë seancë

Konfiskohet “Shijak” televizion. Pa asnjë vendim, pa asnjë seancë gjyqësore, TV Shijakut i hiqet licensa dhe konfiskohen aparaturat. Historia ka nisur në dhjetor të vitit të kaluar. KKRT, Këshilli Kombëtar i Radio-Televizioneve mori vendimin për t’i hequr licensën për arsye se kishte transmentuar filma piratë, pa blerë të drejtën e autorit. “KKRT kishte kapërcyer sanksionet që parashikon ligji dhe për këtë arsye ne e apeluam vendimin e saj”, tregon Gëzim Ismaili, president i TV Shijakut. Seanca e parë gjyqësore ishte caktuar më 3 mars. Ndërsa përfaqësuesit e TV Shijakut u paraqitën në seancë, përfaqësuesi që duhej të dërgonte KKRT-ja, nuk u paraqit. Kështu që seanca u shty. Ndërsa pritej seanca e radhës, Halil Lala, kryetari i KKRT-së i kishte dërguar vendimin Policisë Tatimore për të konfiskuar pajisjet. Ky vendim është motivuar me faktin se, gjykata nuk e pranoi apelimin e vendimit. “Hala ka kapërcyer të drejtat që i jep ligji. Seanca e parë nisi nga gjykata, po përfaqësuesi i Institucionit që ai kryeson, nuk u paraqit”, thekson Ismaili. Pavarësisht nëse është i drejtë ky vendim, i ligjshëm apo jo, policia tatimore dje ekzekutoi urdhrin. TV Shijaku, një prej televizioneve që përfaqësonte zërin e një audience jo të vogël, u mbyll. Heqja e licensës së tij përkon me nisjen e fushatës elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›