E Hënë, 2 Nëntor 2026

Për 113 dele akuzojnë policinë për mitmarrje

08/03/2005  Uniformat blu: Do t’i denoncojmë për shpifje dy vëllezërit

ELBASAN - Dy banorë të Belshit akuzojnë policinë si bashkëpunëtorë me hajdutët në vjedhjen e një numri të konsiderueshëm bagëtish. Shtetasit Naim Paja, 50 vjeç dhe Halit Paja, 47 vjeç, kanë vendosur të bëjnë publike gjithçka iu ka ndodhur me hajdutët e identifikuar dhe qëndrimin e pafalshëm sipas tyre të policisë së Elbasanit. Halit Paja ka treguar për gazetën “Metropol” se më 22 nëntor të vitit të kaluar, rreth orës 21 të mbrëmjes, 10 persona të armatosur i kanë grabitur kopenë me 113 dele. Delet janë hedhur në 3 makina, të cilat janë larguar në drejtim të paditur. 47-vjeçari Paja i ka njohur 2 prej autorëve dhe ka kryer denoncim në polici, por këtu nis dhe përpjekja e dëshpëruar e tij për të kthyer në shtëpi bagëtitë e grabitura. Dy vëllezërit Paja kanë qenë bashkëpronarë të bagëtive me një shtetas nga Korça, me të cilin kanë pasur mosmarrëveshje. Pajat pretendojnë se ish-ortaku i tyre nga Korça ka grabitur me forcë bagëtitë. Naim dhe Halit Paja kanë bërë dhe denoncimin në polici. Policia ka kapur autorët dhe më pas i ka lënë të lirë. Madje i akuzuari si hajdut, pasi ka dalë nga policia, i ka pohuar në telefon viktimës së tij që të mbyllë gojën, pasi kishte shpërblyer policinë me 3 milionë lekë për këtë qëllim. Megjithëse janë ankuar në prokurori, polici e prefekturë, 2 fermerët, nga Dragoti, nuk kanë gjetur zgjidhje. Tani ata i drejtohen për ndihmë ministrit të Rendit, si shpresa e vetme për të mos kaluar në vetëgjyqësi. Burime të policisë Elbasan bëjnë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe ka filluar çështja penale për vetëgjyqësi me akt noterial. Ndërsa burime të prokurorisë së rrethit theksojnë se çështja ka shkuar për gjykim dhe autorët rrezikojnë deri në 3 muaj burg. Shefi i policisë kriminale të komisariatit Elbasan, Butrint Roshi, shprehet se në rastin në fjalë është zbatuar vetëm ligji. Ai theksoi se do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurori për akuzat që i bëhen policisë për përfitim parash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›