Mbyllet epoka e trajnerëve të huaj, Duka kthen sytë te shqiptarët
Kreu i FSHF-së, për shumë arsye, ka vendosur tia besojë stolin një shqiptari të formuar jashtë
Qysh nga 2002-shi, më saktë nga qershori i këtij viti, kur Dosena u emërua trajner i Shqipërisë, pyetja Shqipërinë duhet ta drejtojë një trajner i huaj apo vendës? është bërë në realitete të ndryshme dhe është perceptuar në mënyra të ndryshme. Vetë presidenti Duka, që e drejton institucionin e futbollit prej gati një dekade, e ka ndryshuar mendimin për këtë çështje.
Sigurisht që kanë ndikuar shumë faktorë, që lidhen me mentalitetin që mbizotëronte në kombëtare, me profesionalizmin apo me imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Sulejman Demollari (u shkarkua pas humbjes me Andorrën në një ndeshje miqësore) është trajneri i fundit shqiptar që ka drejtuar përfaqësuesen kuqezi, i pasuar nga 5 trajnerë të huaj.
Duka duket se ka vendosur tu kthehet sërish shqiptarëve, jo të atij lloji 100% shqiptar, që kanë drejtuar para se të vinte Dosena, por duke gjetur një të mesme: trajnerë shqiptarë, ish-figura të kombëtares, të formuar profesionalisht jashtë Shqipërisë. Të këtij soji janë: Bledar Kola, Rudi Vata, Igli Tare, Besnik Hasi e ndonjë tjetër, që pasi kanë varur këpucët në gozhdë, kanë vijuar karrierën në futboll si drejtues, trajnerë apo drejtorë sportivë. Njëri prej tyre, pikërisht Besnik Hasi, është në fund të udhëtimit drejt fronit të kombëtares, ndonëse Duka për arsye që vetëm ai i di, shmang çdolloj komenti për marrëveshjen (thuajse të bërë) me Hasin.
Ndryshimi i mentalitetit Pa u përfshirë mirë në botën e futbollit, në fillim të viteve 2000, Armand Duka zgjodhi një ikonë të futbollit tonë, Sulejman Demollarin, në krye të kombëtares. Sigurisht që Duka bëri një zgjedhje të sinqertë në atë kohë, duke shpresuar që gjithçka do të ishte ndryshe, pa e ditur mirë sesi funksiononin gjërat në kombëtare, sesi ishin ndarë futbollistët në klane apo sesi trajnerët vendës nuk përfilleshin si të ishin profesionistë, por shpesh si hallexhinj.
Për pak muaj Duka e kuptoi që me trajnerë shqiptarë, pavarësisht cilësive të tyre, do të ishte shumë e vështirë që situata të ndryshohej, ndaj vendosi të shpenzonte shumë më tepër para për të marrë një trajner të huaj (Dosenën), me emër edhe në arenën ndërkombëtare, që në radhë të parë do të sillte disiplinën, korrektësinë dhe profesionalizmin në skuadër.
E sigurisht që kjo strategji do të shoqërohej me përmirësimin e kushteve të kombëtares dhe forcimin e institucionit të futbollit. Gjithkush që ka qenë afër kombëtares gjatë epokës Duka e ka fare të qartë që mentaliteti nuk është ai i para viteve 2000, ndërsa sa u përket rezultateve, ndryshimet janë pak të ndjeshme, por kjo lidhet me së shumti me nivelin e futbollit shqiptar.
Rritja e imazhit Shqipëria kishte nevojë për trajnerët e huaj mbi të gjitha për të rritur imazhin e saj në arenën europiane. Përfaqësuesja kuqezi do të ballafaqohej në Eruopë me trajnerë me emër, si Dosena, Brigel, kampion bote, apo Bariç, karriera futbollistike apo si trajnerë e të cilëve do të bënin që emri Shqipëri të përmendej dhe respektohej më shumë nga kundërshtarët, arbitrat dhe mediat ndërkombëtare.
Fitorja 3-1 me Rusinë në Loro Boriçi (mars 2003) apo ajo 2-1 me kampionët në fuqi të Greqisë (shtator 2004) i sollën përfitim të paçmueshëm Shqipërisë në imazh, çka reflektohet edhe në kontratat e së drejtës televizive, kur vetëm në edicionin e fundit FSHF përfitoi më shumë se 5.5 milionë euro. Por tashmë që Shqipërisë po i shteron dhe ai brez i fundit i talenteve, që shpërthyen në kampionatet europiane (Lala, Skela, Bogdani, Duro), është joprofesioniste të shpenzosh shumë para për trajnerin e huaj, kur nuk mund të pretendosh për objektiva madhorë.
Më pak para për të shpenzuar Mbi 1.7 milionë euro të shpenzuara në 10 vjet vetëm për rrogat e trajnerëve të huaj është një shumë e konsiderueshme. Në prag të eliminatoreve të Botërorit 2014, teksa niveli i përfaqësueses ka ardhur në rënie (nuk të lejon të ëndërrosh për një kualifikim të mundshëm) dhe aq më tepër kur të ardhurat nga shitja e të drejtës televizive do të jenë shumëfish më të ulëta, rroga e lartë për një trajner të huaj do të ishte shpenzim i tepërt.
Në këtë realitet të ri, kur mund të mbështetesh profesionalisht edhe te Bledar Kola apo Besnik Hasi, logjika të çon në kthimin e syve te trajnerët shqiptarë. Jo se ata janë të lirë, por mund të pranojnë të nënshkruajnë për shuma të përballueshme nga FSHF. Ndihmëstrajneri i Anderlehtit është në pole për të pasuar Josip Kuzhen, gjithsesi duhet pritur vendimi përfundimtar i Dukës (gjithmonë është shquar për surpriza) për ta parë 40-vjeçarin në krye të kuqezinjve.
