Mbyllet greva, Edi Rama kthen në internim aleatët e tij të rinj
Pas mbylljes së grevës, Edvini lë pas dere aleatët e ngushtë, duke urdhëruar që aleatët e rinj, së bashku me Gjinushin dhe të vjetrit e tjerë, të mbyllin gojën, pasi për PS-në, flasin veç të përzgjedhurit e Endri Fugës
Vetëm pak ditë nga mbyllja e grevës së urisë dhe dështimit përfundimtar të protestave të opozitës, për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, aleatët e kryesocialistit, janë shpërfillur mjaft rëndë. Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Erjon Veliaj, që nga e mërkura e javës së kaluar, s’janë parë më në ambientet e brendshme të selisë rozë dhe gjithashtu mësohet se Edvini ka shkëputur çdo kontakt me ata.
Moskapërdija e turpit dhe dëshpërimi i thellë njëherazi për mos arritjen e objektivave dashakeqe ndaj qeverisë dhe rendit demokratik në tërësi, Edi Rama duket se do të nxjerrë inatin me ndjekësit e tij, të cilët siç mësohet, thjesht kanë dërdëllitur në podiumet pranë grevës dhe punë të hairit nuk kanë sjellë. Zemërimi i kryesocialistit shkon deri aty se u ka mbyllur gojën xhaketave të vjetra si Gjinushi, Milo, Ndoka etj,. por shto këtu edhe Gramoz Ruçin, i cili sikurse edhe këta të tre, nuk ka pasur asnjë mundësi të komentojë situatën, pasi ishte pikërisht ky ai që dha lajmin e kobshëm se socialistët do futen poshtë çadrave dhe s’do dalin të gjallë prej aty. E njëjta situatë vlen dhe për Erjon Veliajn, madje ky i fundit përjetoi më keq akoma edhe tmerret e dhunës direkte poshtë çadrave të grevistëve.
Në këto kushte, dëshpërimi i thellë i Edvinit, ka prekur majat e stresit dhe çoroditjes së tij mendore, teksa falë lëvizjeve të pa menduara dhe blofeve politike, ka marrë në qajë jo vetëm veten e tij, por edhe të ashtuquajturi “aleatë”.
Në këtë drejtim, edhe Spartak Ngjela dhe Preç Zogaj, si dy ish përfaqësues të së djathtës politike, kuptuan më në fund se për Edvinin janë thjesht njëpërdorimësha të zakonshëm që s’kanë kurrfarë vlere për qëllimet e tij.
Konsumimi i tyre ka qenë thjesht për efekt mediatik dhe tromaksje të turmave, por as kjo nuk funksionoi ashtu siç pritej, pasi askush nuk e trajtoi për të mirëqenë apelet anarshiste të Spartakut, apo edhe poemat e përditshme të Preçit, për të ndikuar emocionet njerëzore se socialistët po flijoheshin për liri dhe demokraci.
Ndaj, s’kishte si të ndodhte ndryshe. Preçi dhe Spartaku, nuk hyjnë më në planet e Edvinit dhe për këtë arsye, kanë marrë urdhër të mbyllin gojën dhe të largohen në heshtje nga grupimi që mbështeti opozitën gjatë protestave dhe grevës së urisë.