E Diel, 1 Nëntor 2026

Shegushja hyri në “grevë” për të kandiduar vëllanë si kryetar bashkie

Edvin Rama, për ata që ngelën “pa ngrënë” në grevën që i nxori më faqekuq, barkalecë e më zëtrashë, ka menduar njëfarë shpërblimi, pavarësisht se Rama nuk njihet si njeri që mban fjalën apo që të respekton se kush je. Shpërblimi do ndahet sipas meritës së dhënë në grevë, jo vetëm për personin, por edhe për rrethin familjar aty ku ka mundësi apo aty ku ekziston i përshtatshëm për detyrë. Tani në vitin e fundit të mandatit të kryetarëve të bashkive dhe komunave të vendit, Edvin Rama duket se po profilizon edhe emrat e duhur për kandidim, njësoj si listat që përgatiti për deputetë. Janë afërmendsh të përzgjedhur rastet kur kemi të bëjmë me botë ndërtimi apo biznesmenë, të para përherë si fuqi gjeneruese e partisë. Profili i ndërtimit mbetet gjithnjë i njohur dhe i lakmuar nga Rama, sipas modelit të Tiranës. Në të gjithë bashkitë e mëdha, për shembull të llojit të Elbasanit apo Korçës, ka nisur hedhja në letër e kandidatëve të mundshëm që i afrohen biznesit nga njëra anë dhe kryetarit Rama nga ana tjetër. Ky është edhe problemi më i mprehtë i vitit në vazhdim.
Zëra brenda burimeve socialiste që nuk duan të bëhen të njohur, japin tone sipas së cilave tashmë Edvin Rama është vendosur seriozisht që gjeografinë e kandidatëve nga bota e ndërtimit, ta zgjerojë ndryshe edhe për qytetin e Elbasanit. Konkretisht është menduar që për bashkinë e Elbasanit kandidati më i përshtatshëm për PS-në është kryetari i Dhomës së Tregtisë së Qarkut, Veli Kazazi. Për kryetarin Rama ka pasur edhe shkaqe të tjera në vendimin e tij edhe nëpërmjet ndonjë udhëtimi apo drekimi të përbashkët jo larg nga Elbasani.
Dyshimet për moskandidimin e kryebashkiakut aktual të qytetit bëhen më serioze, po të mendosh se ai është në listën e “zezë” të personave që nënvizohen se i takojnë epokës para Edvin Ramës në krye të PS-së.
Shanset në këtë sipërmarrje i ka shtuar së tepërmi edhe afirmimi në politikë i motrës së biznesmenit Kazazi, Shegushe Ligori. Tashmë duken të largëta kohët, kur në cilësinë e avokates, Shegushe Ligori mbronte kandidatin e atëhershëm të PS-së për kryetar të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.
Në sajë të ndërhyrjes së fortë të Edvin Ramës, Shegushja u promovua si figurë politike, verën e kaluar pa pasur asnjë përvojë dhe aq më tepër kontribut në këtë fushë. Kandidimi i saj në një prej qarqet më të mëdhenj të vendit, i shkoi jo vetëm një veprimi të atij çasti, por edhe konsolidimit të një prapavije për zgjedhjet e ardhshme.
Në grevën e fundit të urisë së zhvilluar në mes të bulevardit, me ca çadra të ngritura përpjetë, Shegushe Ligori u pa si një ndër artikulatoret femra më të pranishme, ndonëse jo fort cilësore, në propagandën e majtë përpara kamerave të saj. Deklaratat e Shegushes brenda apo jashtë çadrave, esencialisht nuk thoshin që tjetër, veçse përçonin çjerrje zëri me intonacione të luhatshme të timbrit të zërit, çka nënkuptonte nivelin e ulët të aktrimit për një “punë” që duhej bërë, gjithsesi.
Për publikun e zakonshëm, emri i Shegushe Ligori u bë i njohur gjatë një seance të Kuvendin e Shqipërisë, ndonëse emri i saj u pëshpërit nën zë. Pikërisht ka qenë seanca e datës 8 nëntor 2004, kur gjatë leximit të një përgjimi midis kryeministrit të kohës dhe kryetarit të komisionit kuvendor të ligjeve, ajo u përmend si “rekomandim për vend pune”. Në atë kohë Kuvendi po diskutonte heqjen e imunitetit të një deputeti botues. Pikërisht ishte ky deputet që bëri të njohur bisedën e përgjuar. Në fund të bisedës deputeti i atëhershëm i Partisë Socialiste, Fehmi Abdiu kërkoi dhe rekomandoi punësimin në Ministrinë e Drejtësisë të Shegushes. Dhe bashkëbiseduesi Nano e filloi fjalën “U bubu...”.
Nuk po e mbarojmë këtë fjalë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›