“Është plotësuar kushti kryesor për liberalizimin e vizave, presim vetëm vendimin e KE-së”
Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni thotë se deri në fund të vitit, pasaportat biometrike do kapin shifrën 1 milionë
Një milion pasaporta biometrike parashikohen të prodhohen deri në fund të këtij viti.
Kështu është shprehur dje zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili konfirmoi se deri më tani kanë aplikuar mbi 650 mijë shtetas për pasaportën biometrike, ndërsa numri i aplikuesve pritet të rritet me ardhjen e emigrantëve. “Kemi rreth 670 mijë aplikime për pasaportat, dhe sistemi punon shumë mirë. Nga këto, 655 mijë janë prodhuar dhe janë dërguar te qytetarët. Mes aplikimit dhe provimit është një javë kohë, që do të thotë pasaportat merren nga qytetarët në më pak se dy javë. Lidhur me kartat, kemi një sukses të dukshëm, janë mbi 2 milion e 100 mijë aplikime”, tha zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.
Sipas tij, afati i aplikimit deri te tërheqja e pasaportave biometrike, duhet vetëm një javë kohë, ndërsa kërkohet nga qytetarët që të paraqiten në kohë për tërheqjen e dokumenteve të prodhuara.
Dy herë më i lartë është numri i aplikuesve për kartat e identitetit.
Dokumentet biometrike të identifikimit janë një prej kushteve teknike për përfitimin nga liberalizimi i vizave.
Ekspertë të Komisionit Evropian, kanë vlerësuar se Shqipëria ka plotësuar tashmë një nga kushtet teknike më të rëndësishme për liberalizmin e vizave, siç është pajisja e shtetasve me pasaportat e reja, elementët e sigurisë të të cilave janë në përputhje me standardet evropiane. Aplikimi i 650 mijë shtetasve për pasaportat biometrike, tregon qartë interesin e shqiptarëve për të përfituar sa më parë nga liberalizimi i vizave, vendim ky që pritet të faktorizohet më 2 qershor në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Sarajevë.