Mbyllet hetimi për Neranxin, dosja në gjyq
Prokuroria pohon se ka gjetur prova që argumentojnë kryerjen e kontrabandës nga deputeti
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dosjen penale në ngarkim të deputetit pa imunitet, të pandehurit Nikollaq Neranxi, ndaj të cilit është ngritur akuza e "Kontrabandës me mallra të tjerë".
Kjo është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe kryesekretarisë së Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit ka pranuar dosjet me fashikujt gjyqësorë, ndërsa pritet hedhja e shortit për të caktuar gjykuesit që do të shqyrtojnë të pandehurin Neranxi, për akuzat e "kontrabandës me mallra të tjerë".
Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga drejtuesi i hetimit të Krimit Ekonomik, pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), gjatë periudhës 2001-'04 nëpërmjet firmës që drejtohej nga babai i tij, ka futur mallra të ndryshme në vend në mënyrë ilegale, pa paguar detyrimet doganore.
"Nga hetimet, ka rezultuar se i pandehuri Nikollaq Neranxi, gjatë viteve 2001- 2004, nëpërmjet firmës së drejtuar nga babai i tij tashmë i ndjerë, ka kryer kontrabandë me mallra të ndryshëm, duke iu shmangur detyrimeve doganore në pikëkalimet kufitare.
Ai ka futur në territorin shqiptar nga Greqia në rrugë tokësore mallra të ndryshme duke mos paguar detyrimet doganore, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 116 milionë lekë të vjetra.
Kjo shumë, është shkaktuar si dëm gjatë mospagimit të doganës për disa automjete që figuronin në emër të firmës së babait të tij, me anë të të cilave janë importuar nga Greqia në Shqipëri materiale të ndryshme për laboratorë fotografikë, si shirita të kasetave, negativë të aparateve fotografikë, e pjesë të ndryshme për biznesin e tij,- thuhet në dosje.
Po ashtu mësohet se nga veprimet hetimore ka rezultuar se importi i kryer nga personat dhe automjetet e kompanisë së biznesit që ligjërisht figuronte se drejtohej prej babait të deputetit, por sipas prokurorisë në realitet ky biznes kryhej nga vetë Neranxi.
"Nga hetimet dhe provat e mbledhura, është vënë re se personi kryesor që drejtonte këtë biznes importi ishte Nikollaq Neranxi",-theksohet në kërkesën për gjykim. Po ashtu bëhet e ditur se, deputeti Neranxi, gjatë vitit 2001-'04 kishte regjistruar si president të firmës së tij, emrin e babait të tij, për të cilin punëtorët e tij fusnin në Shqipëri mallra kontrabande.
Hetimet ndaj deputetit kanë nisur pas kallëzimit të bërë nga krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të cilët e akuzonin këtë subjekt për mos pagimin e detyrimeve doganore për mallrat që ajo fuste në vend.
Sipas burimeve, gjatë fazës hetimore, është paraqitur me kërkesë të tij vetë deputeti Neranxi ku ka dhënë shpjegime të hollësishme mbi akuzat që rëndojnë mbi të. Por, konfirmohet se ai ka mohuar dhe kundërshtuar me këmbëngulje akuzat e ngritura ndaj tij, duke i cilësuar "akuza politike".