E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet kapitulli i “baronëve” të drogës

16/01/2009  Krimet e Rënda japin 26 vjet burg për Shullazin dhe Ferhatin, të kapur në operacionin “Identikit”

Prokuroria kishte kërkuar nga 18 vjet burg për secilin, akuzohen për trafik heroine

TIRANË - Mbyllet në Gjykatën e Krimeve të Rënda një pjesë e procesit gjyqësor të procesit që është emërtuar “Identikit”. Emiliano Shullazi dhe Ervin Ferhati janë dy të pandehurit kryesor të këtij grupi, të cilët dje përfituan një ulje dënimi nga shkalla e parë. Ndërsa Prokuroria kërkoi dënimin e tyre me nga 18 vjet, gjykata e ka ulur në 13 vjet. Pra, për secilin nga të pandehurit Prokuroria kërkoi 18 vjet burg. Prokuroria për Krime të Rënda mbyll një pjesë të procesit “Identikit”, ku janë hetuar dhe gjykuar dy të pandehur Emiliano Shullazi dhe Ervin Ferhati, të akuzuar për trafik droge. Emiliano Shullazi, ose i quajtur ndryshe Anton Nikolli dhe shoku i tij i ngushtë i grupit, Ervin Ferhati, janë deklaruar dje fajtorë nga Gjykata për Krime të Rënda. Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm Ervin Ferhati, ndërsa Emiliano Shullazi nuk ka pranuar të marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore.

Mohimi i akuzave

Grupi ku ishte Shullazi përbëhej nga gjashtë persona në momentin e arrestimit. Me dërgimin e dosjes në gjykatë, Ferhati dhe Shullazi nuk pranuan akuzat duke refuzuar edhe gjykimin e shkurtuar. Në këto kushte dosja në ngarkim të tyre u nda. Sipas vendimit të gjykatës, bëhet e ditur se në bazë të akteve hetimore të dërguara nga Prokuroria e Milanos (Itali) është regjistruar procedimin penal ndaj të pandehurve. Nga këto akte hetimore, rezultonte se disa shtetas shqiptarë në bashkëpunim dhe me shtetas të huaj në vitin 2004 kanë eksportuar lëndë narkotike në Itali, të cilën e merrnin kryesisht nga një furnitor nga Turqia me emrin Mehmet dhe në disa raste e kalonin transit në Shqipëri. Nga hetimet janë zbuluar gjithsej 9 anëtarë.

Organizimi i rrjetit

Të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë dërguar drejt Italisë 9 kg heroinë dhe 100 kg përzierës të ndryshëm. Një pjesë e të pandehurve, të cilët janë arrestuar, kanë arritur të tregojnë disa episode ku grupi ka bërë shpërndarjen e drogës. Droga, sipas gjykatës, ka ardhur nga Turqia. Por vet Shullazi në asnjë seancë gjyqësore nuk ka dhënë shpjegime, duke i dhënë të drejtën avokatit mbrojtës. Nga ana e avokatëve është mohuar pjesëmarrje e tij në organizatë, edhe pse emri ka qenë në krye të listës së personave të përgjuar. Hetimet ndaj Shullazit kanë filluar në që në vitin 2004. Ndërkohë që bëhet e ditur se ai është i përfshirë edhe në vepra të tjera penale.

Nëngrupet e organizatës, linja e plotë e trafikut

Organizata kriminale përbëhej nga dy nëngrupe kriminale vepruese dhe bashkëpunues në fushën e trafikimit të heroinës. Grupi i parë përbëhej nga Landi Baci, Erges Ymeraj (Ilirian Vasili), Erion Gogaj, Selfo Driza (Fredi Plaku) dhe Ervis Qarri. Në krye të këtij grupi qëndronte Landi Baci (arrestuar në Itali) dhe i dënuari Erges Ymeraj, të cilët organizonin dhe drejtonin operacionet e trafikut të lëndës narkotike. Ky grup furnizohej nga furnitori me emrin “Mehmet” i paidentifikuar më saktë. Grupi i dytë përbëhej nga Ervin Ferhati (Ergys Ferhati), Emiljano Shullazi (Anton Nikolli), Ardit Berati dhe Gëzim Veseli. Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi kishin rol organizues dhe drejtues lidhur me operacionet e trafikut të lëndës narkotike, kurse Ardit Berati dhe Gëzim Veseli (arrestuar në Itali), zbatonin urdhrat e drejtuesve, duke tërhequr lëndën narkotike, duke e shitur tek të tretët etj. Dy grupet kanë bërë tratativa paralele me njëri-tjetrin. Ata kishin baza logjistike për ruajtjen dhe përzierjen e lëndës narkotike që ruhej në një magazinë në Lambrate të Milanos dhe më pas përfundonin përzierjen e heroinës, nëpërmjet korrierëve Erion Gogaj, Selfo Driza, Ardit Berati dhe Gëzim Veseli realizonin shitjen e saj në tregun italian dhe dërgimin e të ardhurave në Shqipëri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›