E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, 26 vjet burg për Shullazin e Ferhatin



Më në fund, pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të një procesi disamujor gjyqësor dhe 2 vitesh proces hetimor, togat e zeza shpallën vendimin për dy të pandehurit, Emiljano Shullazin e Ervin Ferhatin, të akuzuar për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Gjatë arsyetimit të vendimit, kryesuesi i trupit gjykues sqaroi skemën se si funksiononte organizata e trafikut të drogës, e drejtuar nga Emiljano Shullazi e Ervin Ferhati. Prokuroria u shpreh për linjat e trafikut, funksionimin e organizatës kriminale, ngarkesat me heroinë, të ardhurat e këtij trafiku, si dhe rolin e të pandehurve apo të dënuarve të përfshirë në këtë organizatë kriminale. Pasi ka përshkruar me detaje funksionimin në tërësi të kësaj organizate trafiku, linja e së cilës ishte Turqi-Shqipëri-Itali, gjykata dënoi me nga 13 vjet burg secilin nga të pandehurit, Emiljano Shullazin e Ervin Ferhatin. Por, para se të shpallej vendimi, avokatët e dy të pandehurve dhe vetë Shullazi e Ferhati kanë dhënë pretendimet e tyre lidhur me akuzat, pse nuk janë dakord, si dhe argumentet pse janë të pafajshëm në këtë proces. Ata u akuzuan për trafik droge nga Turqia në Shqipëri me destinacion përfundimtar Italinë dhe për ta u kërkua nga prokurorja dënimi me nga 18 vjet burg secili. Dy të pandehurit, sipas gjykatës, janë drejtues, financues të organizatës, e cila funksiononte me dy nëngrupe të veçanta në Itali, me korrierë kroatë dhe kosovarë, si dhe një furnizues turk. Për këtë organizatë, policia italiane ka organizuar përgjatë viteve 2004-2005 disa operacione duke sekuestruar sasi të shumta heroine dhe duke arrestuar 9 bashkëpunëtorë të drejtuesve, dy prej të cilëve, Emiliano Shullazi i prezantuar në narkotrafik me emrin Anton Nikolli dhe Ervin Ferhati, i njohur si Ergys Ferhati. Duke përmendur 72 përgjimet telefonike, prokurorja tha se vërtetohet plotësisht mënyra si trafikantët organizoheshin për shpërndarjen dhe shitjen e heroinës në merkaton italiane. Nëpërmjet korrierëve të arrestuar nga italianët, Branko Govedarovich, Strago Zagoi dhe kosovarit Nevzdet Haziri, të pandehurit kanë trafikuar në total rreth 150 kilogramë heroinë dhe përzierës, të ndarë në dërgesa me 10-15 kg. Korrierët drejtoheshin me telefon nga të pandehurit dhe kryenin dorëzimin e heroinës më së shumti me makina me targa kroate, por edhe biçikleta. Gjatë arsyetimit të vendimit, gjykata përmendi pesë episodet e operacioneve në Itali, ku më i rëndësishmi është ai i qershorit 2004.

Hetimi

Sipas përfaqësueses së akuzës, Doloreza Musabelliu, kjo dosje është dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në shkurt të këtij viti, në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Ervin Ferhati, Erges Ymeraj, Erjon Gogaj, Selfo Driza dhe Lutfi Shabani, të akuzuar për kryerjen e krimit të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të organizatës kriminale, sipas episodeve të përshkuara në vendimet e njoftimit të akuzave, organizatë e drejtuar nga të pandehurit Emiljano Shullazi, Ervin Ferhati, Erges Ymeraj dhe Landi Baci. Para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, gjatë kërkesave paraprake, të pandehurit Erges Ymeraj, Erjon Gogaj, Selfo Driza dhe Lutfi Shabani kërkuan që shqyrtimi gjyqësor në ngarkim të tyre të zhvillohej me gjykim të shkurtuar. Ndërkohë që gjatë shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi dhe Ervin Ferhati, rezultoi se të pandehurit Emiljano Shullazi (ndryshe Anton Nikolli), Ervin Ferhati, si dhe të dënuarit Erges Ymeraj, (ndryshe Ilirian Vasili), Selfo Driza (ndryshe Fredi Plaku) dhe Erion Gogaj, në harkun kohor korrik–dhjetor 2004, në kuadër të organizatës kriminale kanë trafikuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike të tipit heroinë. Lënda narkotike furnizohej nga Turqia nëpërmjet furnitorit ende të paidentifikuar mirë me emrin “Mehmet” dhe më pas, nëpërmjet korrierëve importohej në Itali. Zhvillimi i hetimeve, sipas akuzës, bëri të mundur identifikimin e plotë të pandehurve (duke pasur parasysh faktin se një pjesë e tyre ka përdorur gjeneralitete të rreme për t’i shpëtuar ndjekjes penale), ka bërë të mundur të përcaktohen në detaje rolet dhe funksionet e tyre, si dhe itinerari i transportimit të lëndës narkotike. “Në fazën e parë të hetimit, në veçanti dëgjimi i numrave në përdorim të grupit të furnizuesve ku bënte pjesë Lutfi Shabani (Arben Shalaj), Shqiptar Gubetini, si dhe korrierët Sonya Isabella Silberhorn dhe Huber Josef, është bërë e mundur të individualizohet dhe t’i kushtohet vëmendje një organizate kriminale me veprim në Milano, e përbërë nga 9 anëtarë, të cilët vepronin në dy nëngrupe”, - deklaroi gjatë konkluzioneve përfundimtare prokurorja Musabelliu.

Organizata kriminale, përbërja dhe funksionimi

Referuar shqyrtimit të fakteve nga prokurorja e çështjes, organizata kriminale përbëhej nga nëntë anëtarë, ndërkohë që si organizatë funksiononte në dy nëngrupe kriminale, veprues dhe bashkëpunues në fushën e trafikimit të heroinës. Grupi i parë përbëhej nga Landi Baçi, Erges Ymeraj (Ilirian Vasili), Erion Gogaj, Selfo Driza (Fredi Plaku) dhe Ervis Qarri. Në krye të këtij grupi, sipas hetimeve, qëndronte Landi Baçi (arrestuar në Itali) dhe i dënuari Erges Ymeraj, të cilët organizonin dhe drejtonin operacionet e trafikut të lëndës narkotike. Ndër të dy, rolin parësor e kishte Landi Baçi. Ndërsa, Ervis Qarri merrej kryesisht me mbledhjen e parave që grumbulloheshin nga shitja e lëndës narkotike në Itali, edhe pse është arrestuar me rastin e tërheqjes së lëndës narkotike në datën 02.12.2004. Të dënuarit Erion Gogaj dhe Selfo Driza (Fredi Plaku) merreshin me ekzekutimin e operacioneve, pra me tërheqjen dhe shpërndarjen e mëtejshme të lëndës narkotike blerësve të ndryshëm në Itali. Ky grup furnizohej nga furnitori me emrin “Mehmet”, ende i paidentifikuar.

Grupi i dytë përbëhej nga Ervin Ferhati (Ergys Ferhati), Emiljano Shullazi (Anton Nikolli), Ardit Berati dhe Gëzim Veseli. Të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi kishin rol organizues dhe drejtues lidhur me operacionet e trafikut të lëndës narkotike, kurse Ardit Berati dhe Gëzim Veseli (arrestuar në Itali), zbatonin urdhrat e drejtuesve, duke tërhequr lëndën narkotike dhe duke e shitur atë tek të tretët etj. Të dy grupet, sipas akuzës, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin dhe furnizoheshin me lëndë narkotike nga i njëjti furnitor i përbashkët, personi i paidentifikuar mirë me emrin “Mehmet”. Grupi i të pandehurve Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi e merrte lëndën narkotike të furnizuar nga furnitori “Mehmet”, nëpërmjet grupit të të dënuarit Erges Ymeraj e Landi Baçi dhe po nëpërmjet këtij grupi i dërgonin paratë (për lëndën narkotike të furnizuar) furnitorit “Mehmet”.

Lidhjet e drogës

Të pandehurit dhe të dënuarit e dy nëngrupeve të organizatës kriminale kanë pasur lidhje dhe kanë bërë tratativa paralele me njëri-tjetrin. Ata kanë pasur baza logjistike për ruajtjen dhe përzierjen e lëndës narkotike, e cila furnizohej nga Turqia nëpërmjet furnitorit të paidentifikuar mirë me emrin “Mehmet”. Lënda narkotike ruhej në një magazinë në Lambratë të Milanos, dhe më pas, pasi përfundonin përzierjen e heroinës, nëpërmjet korrierëve Erion Gogaj, Selfo Driza, Ardit Berati dhe Gëzim Veseli realizonin shitjen e saj në tregun italian, si dhe dërgimin e të ardhurave në Shqipëri. Hedhja në treg e heroinës kërkonte domosdoshmërish përzierjen e saj me substanca të tjera përzierëse, me qëllim rritjen e peshës dhe përfitimeve nga shitja. Pikërisht, - vijoi akuza në konkluzionet përfundimtare të saj, - kjo lëndë furnizohej nga i dënuari Lutfi Shabani, nëpërmjet Shqiptar Gubetinit dhe korrierëve të tij. Pas administrimit të provave rezultoi e provuar se të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me furnitorin e paidentifikuar me emrin “Mehmet”, të dënuarit Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Selfo Driza, kanë konsumuar disa episode kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të organizatës kriminale.

Nëngrupi i parë

Landi Baçi (i arrestuar në Itali)

Erges Ymeraj (Orges, ndryshe Ilirjan Vasili)

Erion Gogaj

Selfo Driza (ndryshe Fredi Plaku)

Ervis Qarri (i arrestuar në Itali)

Nëngrupi i dytë

Ervin Ferhati (Ergys Ferhati)

Emiljano Shullazi (Anton Nikolli)

Ardit Berati (i arrestuar në Itali)

Gëzim Veseli (i arrestuar në Itali)

Akuzat

“Organizimi, drejtimi e financimi i një organizate kriminale me qëllim trafikimin e heroinës”, parashikuar nga neni 284/a/1;

“Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a/1, në lidhje me nenin 334 të Kodit Penal. Fakti kriminal është kryer në territorin Shqipëri–Itali (Milano) në datat 28/29.08.2004 dhe 03.09.2004, ku është trafikuar sasia prej 10 kg heroinë,

“Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a/1, në lidhje me nenin 334 të Kodit Penal. Fakti kriminal është kryer në territorin Shqipëri–Itali (Milano) në datat 25.10.2004 – 01.11.2004, ku është trafikuar sasia prej 11.2 kg heroinë;

“Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a/1, në lidhje me nenin 334 të Kodit Penal. Fakti kriminal është kryer në territorin Shqipëri–Itali (Milano) në periudhën 16-18 gusht të vitit 2004, ku është trafikuar sasia prej 10 kg heroinë;

“Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a/1, në lidhje me nenin 334 të Kodit Penal. Fakti kriminal është kryer në territorin Shqipëri–Itali (Milano) në periudhën 18-21 gusht 2004 të vitit 2004, ku është trafikuar sasia prej 11 kg heroinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›