E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet në qeli vjedhësi i pasqyrave

TIRANE – Gjykata e Tiranë vendosi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për 31-vjeçarin kryeqytetas Ponos Lako. 

 Kjo masë u kërkua nga prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake, i cili pretendoi se 31-vjeçari është arrestuar një muaj pasi ka kryer vjedhjen e pasqyrave të një “Benz”-i luksoz në Laprakë. Sipas përfaqësuesit të akuzës, ngjarja ka ndodhur në mesin e muajit maj kur Lako ka shfrytëzuar momentin që nuk ndodhej njeri pranë mjetit të parkuar pranë pallateve “Gintash” në Laprakë dhe ka vjedhur dy pasqyrat, të cilat më pas i kishte shitur në një servis. Ndërsa më tej Prokuroria pohoi se policia pasi kishte zbuluar autorin e vjedhjes së pasqyrave ishte vënë në kërkim të tij, por pa mundur ta arrestonte. Për rreth një muaj ai kishte mundur të vidhte edhe disa sende të tjera nëpër automjete, si kasetofonë, celularë, dokumente dhe sende të tjera. Madje, duke dhënë shpjegime para gjykatës ai pranoi të kishte bërë disa prej vjedhjeve për të cilat akuzohej. Pas kësaj Prokuroria kërkoi që ai të qëndronte në qeli deri në përfundim të hetimeve, ndërsa i akuzuari dhe avokati i tij, një masë më të lehtë.               f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›