E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Allaman Dervishit, familja e policit fal gjakun

TIRANE - Familja e ish-policit Allaman Dervishi, i shpallur “Dëshmor i Atdheut” pas vrasjes në maj 2004, “pajtohet” me familjen e Sovran Qeleposhit duke i falur gjakun. 

Sovran Qeleposhi, ish-ushtar i Gardës së Republikës, si dhe dy kushërinj të tij, akuzohen se kanë sulmuar me armë mëngjesin e 24 majit të vitit 2004 policët rrugorë Allaman Dervishi, si dhe kolegun e tij, Resmi Hasanpapa. Allaman Dervishi mori plagë të rënda dhe vdiq në të mbërritur në Spitalin Ushtarak, ndërsa Resmi Hasanpapa u mjeku në Itali, ndërsa sot e kësaj dite qëndron në një karrige me rrota. Të dy policët u dekoruan, ndërsa Allaman Dervishi, u shpall “Dëshmor i Atdheut” pas vdekjes. Pas më tepër se katër vite nga ngjarja e rëndë e ndodhur në të hyrë të Tiranës, familja e një prej autorëve të ngjarjes së rëndë ka marrë “besën” nga familja e Allaman Dervishit, e cila në këtë mënyrë përmes një gjesti human e fisnik ka falur gjakun e tij. Ceremonia sipas traditave shqiptare, është zhvilluar në qytetin e Durrësit, ku familja e Sovran Qeleposhit dhe Allaman Dervishit, janë takuar dhe i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. Në këtë ceremoni, sipas një njoftimi të policisë së Tiranës kanë marrë pjesë të afërm të të dy familjeve, si dhe një grup personash të cilët kanë shërbyer si ndërmjetës pajtimi mes palëve. “Allaman Dervishi i rënë në krye të detyrës, është dekoruar me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës dhe u shpall “Dëshmor i Atdheut”, pasi gjeti vdekjen në krye të detyrës. Ai ka shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim në çdo detyrë që i është ngarkuar dhe kudo ku e kërkonin interesat e Atdheut”, tha në deklaratën e saj të djeshme policia e kryeqytetit me rastin e kësaj ceremonie të zhvilluar për pajtimin mes dy familjeve. Më tej zëdhënësja e policisë në deklaratën e saj u shpreh se: “Gjatë gjithë periudhës së punës në shërbimin policor, dëshmori i Atdheut, Allaman Dervishi, është karakterizuar nga përkushtimi në kryerjen e detyrave, ndershmëria dhe korrektësia në marrëdhëniet me kolegët dhe eprorët”. Sulmi ndaj policëve rrugorë ndodhi kur tre të arrestuarit, e dënuar me gjykim të drejtpërdrejtë, i kishin grabitur autoveturën një taksisti në Durrës mbrëmjen e 23 majit 2004. Më pas ata u nisën të armatosur në drejtim të Tiranës dhe në orën 02:00, u përplasën me patrullën e Policisë Rrugore në afërsi të Doganës. Allaman Dervishi mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq rrugës për në Spitalin Ushtarak ku po dërgohej nga kolegët e tij. Hetimi i kryer nga policia dhe Prokuroria e Tiranës, zbuloi grabitjen dhe rrëmbimin e taksistit dhe më pas plagosjen dhe vrasjen për shkak dhe në krye të detyrës së dy punonjësve të policisë, Allaman Dervishi dhe Resmi Hasanpapa.       d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›