Mbyllet numërimi i 26 kutive/KQZ: Lulzim Basha sërish në avantazh me 77 vota ndaj kandidatit socialist Edi Rama

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar sot procesin e numërimit të të gjitha kutive me vota të kontestuara gjithsej (26)kuti, që i përkisnin katër KZAZ-ve të bashkisë Tiranë.
Në total rezultuan 13 vota të vlefshme në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, kundrejt 16 votave për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.
KQZ, pas hapjes edhe të 15 kutive të mbetura, rezultuan 11 vota të vlefshme për kandidatin Rama dhe 9 vota për kandidatin Basha. Këto vota, duke ia bashkangjitur atyre të rivlerësuara dje pas hapjes së 11 kutive, e çon në total numrin e votave të vlefshme, të gjetura në 26 kuti, në 16 vota për kandidatin Rama dhe në 13 vota për kandidatin Basha.
Procedura e rivlerësimit nga KQZ e votave të kontestuara nisi dje pas miratimit të kërkesës ankimore të PD-së për hapjen e 26 kutive për kryetarin e bashkisë Tiranë, që i përkisnin KZAZ-ve nr. 47. 49, 52 dhe 53, ku kërkohej këqyrja dhe rivlerësimi i këtyre votave.
Në mbledhjen e ditës së nesërme KQZ pritet të diskutojë lidhur me vendimmarrjen për këto vota të kontestuara, që sipas kodit zgjedhor duhet të përfshihen në tabelën e rezultateve përmbledhëse për kryetarin e bashkisë Tiranë.
Duke bërë një përllogaritje të rezultatit paraprak të KQZ-së të shpallur më 23 maj, ku kandidati i djathtë Lulzim Basha mori 81 vota më shumë se rivali i tij, Rama, pas përfundimit të numërimit të 26 kutive me fletë të kontestuara kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, kryeson me 78 vota, kundrejt kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.
Ndërkohë rezultati i mëhershëm i shpallur nga KQZ pas numërimit të fletëve të kontestuara në 125 kuti, ku Basha doli në avantazh me 81 vota krahasuar me Ramën është ankimuar nga Partia Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, me argumentin se shtimi i këtyre votave si të vlefshme ndryshoi raportet në rezultatin e KZAZ-ve, ku Rama doli në avantazh në fund të procesit të numërimit me 10 vota. Në pritje të vendimit të Kolegjit të premten e 3 qershorit, duket se rezultati për bashkinë e Tiranës do të ndryshojë sërish.
Ambasadori i BE, Sequi: Procesi zgjedhor pranë finalizimit, transparenca e tij tregon pjekurinë demokratike
Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi ka apeluar për përmbyllje të drejtë e transparentë të procesit zgjedhor. I pyetur nga përfaqësuesit e mediave për zgjedhjet pas një aktiviteti të organizuar tek “Shkolla e Kuqe”, ambasadori Sequi theksoi se procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar dhe pritet që ai të jetë i drejtë, i pavarur dhe transparent.
“Procesi zgjedhor është mjaft i rëndësishëm pasi Bashkimi Europian do të bëjë vlerësimin në fund të vitit për pjekurinë demokratike të vendit”- theksoi Sequi.
Ndërkohë duke iu referuar aktivitetit të organizuar tek “Shkolla e Kuqe” ku u paraqitën edhe punimet e nxënësve të kësaj shkolle, Sequi ka theksuar se është i kënaqur që ndodhet pranë nxënësve pasi ata janë e sotmja dhe e ardhmja e vendit.
“Jam i frymëzuar nga entuziazmi që ata kanë dhe kjo tregon se ardhja e vendit është optimiste”- theksoi Sequi.
Ndërkohë ambasadori i BE-së në Tiranë vizitoi sot ekspozitën me punimet e nxënësve “Ndotja e ajrit dhe trafiku në Tiranë-siç e shoh unë” tek “Shkolla e Kuqe”.
...