Mbyllet raundi i dytë i negociatave për hyrjen në NATO
Dje u mbyll me sukses në Bruksel raundi i dytë dhe i fundit i negociatave ndërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) dhe Republikës së Shqipërisë. Ekipi negociator shqiptar kryesohej nga Glori Husi, koordinator Kombëtar për çështjet me NATO-n. Negociatat e djeshme u përqendruan në çështje të karakterit tekniko-ligjor, çështje të sigurisë dhe të burimeve financiare dhe njerëzore. Me mbylljen e këtij raundi të negociatave hapet rruga për nënshkrimin e protokolleve të pranimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të cilat pritet të nënshkruhen në fillim të muajit korrik 2008. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, theksoi dje në ceremoninë e organizuar në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes se "Forcat e Armatosura duhet të përshtaten me shpejtësi me realitetin e ri, për të përballuar të gjitha sfidat që kërkon anëtarësimi i plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut". Ministri i Mbrojtjes mori pjesë në 50-vjetorin e Akademisë së Mbrojtjes "Spiro Moisiu", që u zhvillua në këtë komandë. Ai u ndal dhe në pjesëmarrjen e trupave tona në misionet paqeruajtëse, duke shprehur "vendosmërinë për të rritur më tej shkallën e pjesëmarrjes sonë në këto misione". Me këtë rast ai konfirmoi vendimin që mori dje Këshilli i Ministrave për miratimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen tonë me trupa ushtarake në misionin evropian në Çad.
Zv/komandanti i Akademisë së Mbrojtjes, kolonel Jeronim Baze, foli për rëndësinë dhe rolin e këtij institucioni të rëndësishëm të arsimimit tonë ushtarak, për arritjet e shënuara në vite, si dhe për punën që po bëhet për përmirësimin e mëtejshëm të programeve dhe metodave të mësimdhënies, për t‘i përafruar ato gjithnjë e më shumë me standardet e NATO-s.