E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbytet 52-vjeçari në liqen

 

TIRANE - Një 52-vjeçar ka humbur jetën, teksa është futur për t’u larë në liqen. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pezë-Helmes, vetëm disa kilometra larg Tiranës, në një rezervuar që përdorej nga fshati për të ujitur. Viktima quhet Fiqiri Muça dhe është banor i fshatit ku ndodhi ngjarja. Sipas banorëve të fshatit, mjaft prej tyre duke mos pasur mundësi ekonomike për të bërë pushime dhe për të shkuar në plazh, kalojnë disa orë në ditë duke u larë në liqenin e fshatit, për të kaluar sado pak vapën dhe temperaturat e larta. Por rezervuari, duke mos qenë shumë i thellë, ka barishte dhe shumë baltë. Sipas policisë ky ka qenë edhe shkaku i mbytje së 52-vjeçarit. Fiqiri Muça vetëm disa minuta pasi është futur për t’u larë, ka ngecur në baltën e liqenit dhe nuk ka mundur që të dalë më prej aty. Policia e Komisariatit Nr.6, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e kufomës nga liqeni. Sipas dëshmive gjithçka ka qenë aksidentale dhe 52-vjeçari është mbytur pasi ka mbetur në baltë. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›