E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbytet në ditën e lindjes, me shokun që po e ndihmonte

22/05/2005  Dy 12-vjeçar përfundojnë në fund të detit

VLORE - Dy nxënës nga Kuçova mbyten në brigjet e Vlorës, ndërsa po shijonin orët e një dite ekskursioni në Zvërnec. Alberto Kapedani, 12 vjeç, rrëzohet nga lartësia drejt në e në det. Shoku i tij, Bernard Kondi, i vihet nga pas, për ta shpëtuar, por përfundon edhe vet në det. Bernardi, trupi i të cilit nuk është gjetur ende, dje kishte ditëlindjen dhe po e festonte me shokët e klasës.

Nga Kuçova në Zvërnec

Autobusi me targa KV 0034 B është nisur nga shkolla 9-vjeçare e fshatit Perondi, të Kuçovës, herët në mëngjes. Mjeti, i cili mbante në karroceri plot 50 nxënës, mbërrin në Vlorë rreth orës 09.30. Pasi kanë qëndruar për disa kohë në Sheshin e Flamurit, janë njohur me qytetin e Vlorës, u nisun rreth zonës turistike të Nartës, pikërisht në gjirin e Zvërnecit. Shoferi i autobusit, Mistehaku, ka marrë rrugën për te pusi i naftës, siç i thonë vlonjatët, pika më e afërt e detit. Por e gjithë atmosfera ka ndryshuar. Hapja e dyerve të mjetit është pasuar me vërshimin e fëmijëve drejt detit, një vrrull që nuk është ndaluar as nga ulërimat e mësuesve përgjegjës.

Mistehaku tregon se pa fëmijët të futeshin në det dhe vetëm pas pak minutash ata janë ulur të drekojnë. Edhe mësuesit e klasës së 5-të tregojnë se ishin duke ngrënë, kur dy 12-vjeçarët janë ngritur nga buka. Ata janë larguar disa metra larg shokëve në drejtim të lartësisë së kodrës.

Rrëshqet Albertino, Bernardi do ta ndihmojë

Albertino Kapedani ishte fëmija i parë që hipi në shkëmbin buzë deti. Pas pak sekondash atij i rrëshqet këmba…. Këto ishin minutat fatale. Shoku i tij, Bernardi mundohet t’i jap ndihmë shokut, por rrëshqet edhe ai pas tij në fund të lartësisë, drejt e në det.

Në një det të madh e me dallgë mjaft të mëdha u zhdukën të dy trupat e fëmijëve. Mësuesit e shokët e tyre kanë parë që të dy djemtë ranë në ujë dhe rrufeshëm janë sulur drejt tyre për t’u dhënë ndihmën e nevojshme. Por nga sytë e tyre është zhdukur Bernarti, kurse Albertinon mundën ta nxjerrin nga deti të vdekur, pasi kishte pirë ujë.

“U munduam ta sjellim në jetë, duke u dhënë frymë, por asgjë. Albertino kishte vdekur”, tregon një nga mësuesit që i shoqëronte.

Një pjesë e nxenësve të tmerruar kërkonin të gjenin shokun tjetër, Bernardin, kurse mesuesët dhe të tjerë i jepnin frymë trupit të pajetë të 12-vjeçarit tjetër.

Në këto çaste ata kërkuan edhe ndihmën e policisë lokale, e cila futi në kërkim polumbarët.

Zëdhënësi i policies, Enkeljed Selmani, tha se “ne reaguam menjëherë, duke çuar aty polumbarë, por ishte e pamundur që të gjeje trupin e nxënësit, kemi lajmëruar edhe italianët e Sazanit, ata të Guardia di Finanza. Nuk janë kthyer ende, ata po vazhdojnë kërkimet, por deri në këto momente, fatkeqësisht, trupi i fëmijës nuk është gjetur”.

Prondërit e Bernardit emigrant

Kthehen nga Greqia, pas lajmit për tragjedinë

KUÇOVË - Eshtë dashur një ekskursion me fëmijët, që është organizuar nga mësuesit e shkollës 9-vjeçare të komunës Perondi që të krijohet një tragjedi. Humbjen e djalit të tyre Ferdinant dhe Rovena Kapedani, të cilët janë emigrant në Greqi, e kanë mësuar nëpërmjet medias. Ndërsa po e njëjta dhimbje tragjike të krijohet edhe në familjen e vogëlushit tjetër, kur mëson faktin se dy prindërit e Bernardos, Bardhyli dhe Valentina e kishin nisur në mëngjes djalin në eskursion me mësuesen Flora Goxhaj dhe se kishin nisur darkën, pasi po dje Bernardo mbushte plot 12 vjeç, por nuk mundi t’i gëzonte prindërit e tij, ndërsa u krijoi një tragjedi vërtet të dhimbshme.

Thuajse i gjithë fshati ishte ndarë në dy pjesë dhe shkonin te të dyja familjet. Në Perondi, vdekja ishte ulur këmbëkryq dje, pasi kishte marrë me vete dy të mitur.

Nuk kishte kush t’u tregonte se çfarë kishte ndodhur, të thotë kryetari i komunës, Ramiz Oboni, i cili kishte mbërritur menjëherë sapo kishte mësuar lajmin pranë familjeve, ndërsa nuk kishin së pushuari telefonat nga jashtë shtetit, të cilët kërkonin shpjegim se çfarë kishte ndodhur.

“Nuk dije se çfarë t’u thoshe dy prindërve të Albertinos, Ferdinantit dhe Rovenës, pasi kishin 8 muaj pa i parë fëmijët e tyre, që i kishin lënë dy fëmijët të jetonin me gjyshin, pasi nuk i merrnin dot në emigracion atje ku dhe ishin vetë për mungesë dokumentesh”.

Ndërsa trupi i pajetë i Albertinos është nisur pranë familjes, ku do të kryhet dhe ceremonia e fundit mortore, trupi i Bernardos ende nuk është gjetur, edhe për shkak të vështirësive të motit që kanë krijuar dallgë në det.

Nxënësja Ariol Manulla

“Ende nuk më besohet…”

Si u ndodhët në Zvërnec?

Pasi pamë qytetin e Vlorës, ne kishim dëshirë të shkonim drejt detit, por duke parë që nga veriu i detit kishte pyll, mësuesit na thanë shkojmë edhe në Nartë dhe kënaqemi plotësisht.

Qëndruat shumë në Vlorë?

Një orë, besoj. Pastaj u nisëm nga pusi i Mezinit dhe shkuam në lagunën e Nartës, ku qëndruam disi më gjatë për të vazhduar drejt bregut të detit.

Kur mbërritët në det?

Reth orës 12.00 kemi qenë në buzën e detit dhe kemi filluar të lozim me njëri-tjetrin. Hapëm çantat e bukës dhe jemi ulur rreth njëri-tjetrit. Pasi kemi qenë disi në mes të bukës, Albertino dhe Bernardi janë ngritur.

A thanë ata se ku do të shkojnë?

Nuk besoj, por disa shokë, që ishin afër tyre, mësohet t’u kenë thënë se jemi duke kryer nevojat personale.

Ti i pe kur u larguan?

Pashë vetëm një moment kur ishin afër shkëmbi dhe kaq. Më pas dëgjova shokët që thanë se humbën ata ore... Kthej kokën dhe shoh se në maj të shkëmbit nuk kishte njeri.

Çfarë bëre në këto momente?

Bashkë me shokët e tjerë u turrëm drejt detit. Aty ishte futur në det shoferi ynë, Mistehaku, i cili po luftonte të nxirrte trupin e Albertinos nga deti.

Vonoi shumë dalja e trupit të Albertinos?

Rreth 40 minuta. Fillimisht trupi i tij u zhduk në det dhe më pas e ka nxjerrë deti përsëri në sipërfaqe dhe aty ne jemi turrur për ta nxjerrë, por shoferi ishte më i zoti dhe e nxori bashkë me disa kalimtarë aty. Jemi shumë të mërzitur për këtë që ndodhi. Nuk dimë çfarë t’u themi prindërve tanë për shokët tanë. Ende nuk më besohet se ata nuk jetojnë më.

Pragplazhi

Fëmijë nga e gjithë Shqipëria në Vlorë

Prej ditësh, qyteti i Vlorës si dhe bregdeti janë kthyer në një vend pelegrinazhi për mjaft shkolla që në mbylljen e procesit mësimor planifikojnë udhëtime në bregun e detit të Vlorës. Me dhjetëra autobusë e furgona synojnë Vlorën në fundjavë, ku shumica e pasagjerëve janë nxënës shkollash nga rrethe të ndryshme të vendit, shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë. Që prej ditës së djeshme, deti ka qenë shumë i trazuar e me dallgë që kanë arritur deri në 7-8 ballë. Situatë kjo që do të thotë se për personat që nuk dinë mirë notin paraqet rrezikshmëri të lartë. Nëse deti do të kishte qenë i qetë e pa dallgë të mëdha, mendohet se fëmijët nuk do të ishin mbytur. Sipas meteorologëve, deti në ditët në vazhdim deti do të jetë i trazuar e me dallgë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›