Mbytet në pus 41-vjeçarja
FIER Një grua 41-vjeçare, banore e lagjes “16 prilli” në Fier, ka vdekur pasditen e së enjtes, si pasojë e rënies në një pus uji. Hëna Prifti ka qenë duke vaditur disa perimore të mbjella për nevoja familjare, në çastin kur ka ndodhur fatkeqësia. Në një moment, kur ajo është përpjekur të mbushë me ujë një kovë të lidhur me litar, në brendësi të pusit, i ka shkarë këmba, ka humbur drejtpeshimin dhe ka përfunduar në thellësi të pusit, rreth katër metra nga sipërfaqja e tokës. Në çastin kur gruaja ka qenë duke rënë disa fëmijë që ktheheshin nga shkolla kanë dëgjuar thirrjet e saj për ndihmë. Ata kanë shkuar në një familje që ndodhej pranë linjës hekurudhore Fier-Vlorë dhe kanë njoftuar për atë çka dëgjuan Në vendngjarje shkuan banorë dhe të afërm të viktimës. Gruaja është nxjerrë e pajetë nga thellësia e pusit, por familjarët me shpresë e kanë dërguar atë për në spitalin e Fierit. Mjekët pohuan se gruaja ka mbërritur e pajetë në ambientet spitalore dhe veçuan se shkaku i vdekjes ishte mbytja nga uji. Trupi i pajetë u dërgua në morgun e qytetit. Mjekët specialistë ligjorë konstatuan pas ekzaminimeve se vdekja ka qenë aksidentale.
Policia nga ana e saj deklaroi, pasi këqyri vendngjarjen, se shkaku i vdekjes ishte aksidental.