E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret veten para dasmës 25-vjeçari

BURREL Tronditet fshati Plani i Bardhë në Bashkinë e Klosit nga një vetëvrasje. I riu Sajmir Ramazan Skordha, 25 vjeç, i ardhur nga emigracioni një muaj më parë, i ka dhënë fundit jetës në mënyrë tragjike. Rreth orës 12.00, sipas policisë lokale, ai ka dalë nga shtëpia e tij dhe në afërsi të shtëpisë ka qëlluar me automatik mbi trupin e tij. Ka mjaftuar vetëm një plumb në gjoks që Skordha t’i jepte fund jetës. Policia tha pas ngjarjes se nga hetimet e para i riu ishte i fejuar dhe po mendonte për dasmën e tij, mirëpo familjarët kanë sqaruar se ai përballej me probleme financiare, megjithëse kishte qëndruar disa vite në emigracion, në Itali. Familjarët janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë 25-vjeçarit, por plaga e shkaktuar i ka marrë jetën brenda pak minutave. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë për të hetuar mbi ngjarjen. Pasdite janë shoqëruar në Komisariatin e Burrelit e fejuara e Skordhës si dhe familjarë të tij. Të gjitha pistat e para çojnë në një vetëvrasje të mundshme për shkak të depresionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›