E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet pushuesi kosovarë, shpëtojnë 3 të tjerë

30/08/2010 DURRES- Është mbytur në Plazhin e madh të Durrësit një pushues nga Kosova, i cili po lahej së bashku me të vëllain vetëm 30-40 m larg nga bregu i detit. Jaher Kabashi 23 vjeç është përpjekur të shpëtojë të vëllain, por është fundosur duke mos mundur të dalë më në sipërfaqe. Policia kufitare ka shkuar në pak minuta në vendngjarje duke u vënë në kërkim të të mbyturit, ndërsa ka transportuar për në spital dy të rrezikuar nga mbytja. Burimet policore kanë thënë se katër të rinj pushues nga Durrësi janë hedhur në det sapo kanë dëgjuar nevojën për ndihmë dhe kanë mundur të shpëtojnë jetën e Kujtim Kabashit, vëllait të viktimës, Jetmir Gashit dhe Leonard Beqirit të gjithë pushues nga Kosova. Ndonëse të rinjtë kanë bërë të gjitha përpjekjet e kanë pasur të pamundur të nxjerrin trupin e 23-vjeçarit, i cili ka qëndruar në fund të detit deri sa kanë ardhur polumbarët. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 9.40 në vendin e quajtur sektori Apolonia në Plazhin e Durrësit. dy vëllezërit Jaher e Kujtim Kabashi së bashku me komshinjtë e tyre Jetmir Gashi e Leonard Beqiri nga Prizreni i Kosovës dje kanë nisur ditën e parë të pushimeve. Ata janë future për t’u larë së bashku pikërisht në vendin që kishte qëndruar anije “Emilie IV”, e cila vetëm një ditë më parë është tërhequr nga dy draga të fuqishme për ta larguar nga cekëtina ku kishte mbetur. Por dragat janë detyruar të largojnë rërën, e cila kishte bllokuar anijen në breg dhe gjatë tërheqjes në vendin ku ka qenë anija është krijuar një kanal i thellë rreth 5-6 metër. Pikërisht këtu kanë rrëshqitur të katër pushuesit kosovarë të porsafutur në det. Asnjëri prej tyre nuk dinte not dhe rrëshqitja ka shkaktuar frikë tek ata, ndërkohë që deti i trazuar ka shkaktuar turbullimin e ujit. Pushuesit kanë parë se si të rrezikuarit për t’u mbytur janë kapur pas njëri-tjetrit për të shpëtuar, ndërsa viktima Jaher Kabashi ka mundur të nxjerrë nga kanali të vëllain, por ka rrëshqitur vet duke përfunduar në fund në një thellësi rreth 5-6 m. Thirrjes për ndihmë i janë përgjigjur disa djem që qëndronin në breg dhe vetëm në saj të tyre kanë mundur të shpëtojnë nga mbytja Kujtim Kabashi, Jetmir Gashi dhe Leonard Beqiri. Madje ky i fundit është dërguar në urgjencën e Durrësit pasi gjendja e tij ka qenë kritike, ndërkohë që Kujtim Kabashi pasi ka marrë ndihmë mjekësore është rikthyer tek vendi ku qe mbytur vëllai i tij. Efektivat e policisë kufitare dhe peshkatarë amatorë kanë tentuar ta kërkojnë me rrjetë dhe me zhytje, por vetëm pasi kanë ardhur polumbarët është bërë e mundur nxjerrja e të riut nga Prizreni. Disa pushues, kryesisht nga Durrësi kanë reaguar lidhur me mbytjen duke fajësuar për ngjarjen pushtetin lokal dhe ekipin që ka nxjerrë anijen. Ata kanë thënë se në atë vend nuk duhej lejuar të lahej askush për shkak të rrezikut që kërcënonte pushuesit. Anija ka qëndruar disa muaj në atë vend dhe veç karburantit e vajrave të derdhura në det ka lënë aty materiale të prera hekuri e llamarine duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›