E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret pas një grindjeje të çastit, arrestohet

30/08/2010 Ngjarja në Tuç të Pukës

PUKE- Një 30-vjeçar nga fshatrat e Pukës është vrarë me armë gjatë orëve të vona të së shtunës. Veprimet e shpejta të policisë kanë arritur të vënë nën pranga autorin vetëm 3 orë pas ngjarjes. Burimet zyrtare të policisë së Pukës bëjnë të ditur se rreth orës 22:10, të së shtunës, në fshatin Tuç, komuna Qafë – Mali, rrethi Pukë, pikërisht në vendin e quajtur “Ish-Miniera e Bakrit”, është vrarë me armë zjarri shtetasi Pavlin Nikollë Frroku, 30 vjeç, banues në po këtë fshat. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe Komisariatit të Policisë Pukë, ku si rezultat i punës së mirëorganizuar dhe veprimeve të shpejta, është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të krimit shtetasit Edmond Nikollë Marku, vjeç 38. Burimet policore shprehen se nga veprimet e para hetimore, rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një grindje të çastit me dy shtetasve Frroku e Marku. Kapja e shtetasit Edmond Nikollë Marku, së bashku me armën e krimit tip pistoletë, u bë e mundur në një zonë malore të fshatit Tuc. Nga ana e policisë po kryhen të gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të shtetasit Marku do i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Pukë, për veprat penale “vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›