E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet pasmesnate polici rrugor, po kthehej në shtëpi

30/08/2010 Ngjarja në Malësi të Madhe, viktima 41-vjeçari Kolë Ndreshaj. Policia, 5 milionë lekë shpërblim

SHKODER- Një efektiv i qarkullimit rrugor është vrarë gjatë orëve të para të së dielës, nga autorë dhe rrethana ende të paditura, teksa ndodhej në krye të detyrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20,të së dielës, në vendin e quajtur “Foletat e Marshenjt”, në fshatin Reç, komuna Shkrel, e rrethit Malësi e Madhe. Persona ende të paidentifikuar kanë vrarë me armë zjarri, punonjësin e policisë së Njësisë Rajonale të Qarkullimit Rrugor Shkodër, inspektor Kolë Ndreshaj, 41 vjeç, baba i dy fëmijëve, lindur dhe banues në Shkodër.

Vrasja

Burimet policore shprehen se inspektori Ndresha ka humbur jetën për shkak të një plumbi që i kishte qëlluar brinjët dhe kishte përshkuar trupin. Ndërkohë nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk janë gjetur gjurmë të lëna nga autorët dhe as gëzhojat e plumbave që të qëlluar ndaj efektivit të qarkullimit rrugor. Inspektori Ndreshaj kishte qenë me detyrë në festën e Reçit të Malësisë së Madhe, për të mbajtur nën kontroll trafikun e rënduar. Pas përfundimit të festës, inspektori Ndreshaj është nisur me motorin e qarkullimit rrugor drejt Shkodrës, ku dhe kishte shtëpinë. Gjatë rrugës, rreth 30 minuta më vonë, kur po i afrohej aksit rrugor Dedaj-Koplik, Ndreshaj është qëlluar dy herë me armë zjarri. Njëri plumb kishte goditur motorin, ndërsa plumbi tjetër trupin e policit rrugor. Nga ky moment Ndreshaj kishte humbur kontrollin e mjetit dhe ishte rrëzuar me motor, duke rrëshqitur rreth 10 metra më larg. Kalimtarët kanë lajmëruar policinë për një aksident me motor të një efektivi të qarkullimit rrugor, i cili ishte i shtrirë përtokë pa ndjenja. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë me mjekët e urgjencës, të cilët kanë konstatuar se inspektori Ndreshaj, nuk ishte aksidentuar me motor, por ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri. Sapo është arritur në këtë konstatim, Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, ku përveç specialistëve të saj janë angazhuar dhe specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe prokurorë të Prokurorisë për Krime të Rënda. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Ndërkohë Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vënë në dispozicion 5 milionë lekë për këdo që do të japë informacion të vlefshëm lidhur me autorët e vrasjes së punonjësit të policisë Kolë Ndreshaj, si dhe ka ftuar qytetarët që për çdo informacion të informojnë në numrin e telefonit 0694105324. Burimet policore shprehen se pista kryesore e hetimeve lidhet me ndonjë konflikt të mundshëm për shkak të detyrës të inspektorit Ndreshaj, pasi sipas familjarëve dhe të afërmve, viktima nuk kishte pasur konflikte personale, apo familjare me asnjë person.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›