E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbytja e trageteve në Durrës, ekspertiza: Dëmi, 1 milion euro

Dje kanë përfunduar zyrtarisht ekspertizën e aksidentit specialistët e hetimeve detare, pas incidentit që ndodhi disa ditë më parë, kur njëri prej trageteve të linjës Bari-Durrës për shkak të erës së madhe u përplas me anijet e peshkimit, duke fundosur tre prej tyre, si dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Akti i ekspertizës është dërguar në kompaninë italiane të sigurimeve, në të cilën është siguruar trageti i linjës me Barin, e cila është e detyruar të dëmshpërblejë palët e dëmtuara. Sipas komisionit të palës sonë, rezulton së dëmi i shkaktuar e kalon shifrën e 1 milion eurove.

Raport-ekspertiza

Vetëm dje, një grup ekspertësh përfundoi hetimin e ngjarjes detare, e cila u regjistrua me datën 23 nëntor në orën 07:00. Sipas aktit të ekspertizës rezulton se trageti “Aurelia” i Kompanisë së Lundrimit “Tirrenia”, për shkak të motit të keq dhe lëvizjeve të pakontrolluara është përplasur me portin e peshkimit në Durrës e për pasojë ka shkaktuar dëme materiale të disa subjekteve private. Kështu u fundosën 3 anijet e peshkimit “Taulantia”, ”Acquario 3” dhe “El Paso”. Si rezultat i aksidentit janë dëmtuar rëndë tre peshkarexha dhe më lehtë tre të tjera. Trageti gjithashtu ka dëmtuar rëndë kalatën e peshkimit, duke e ndarë atë në mes e për pasojë, duke e nxjerrë atë jashtë përdorimit. Ai ka dëmtuar edhe dokun e riparimit të anijeve, i cili është pronë e kompanisë turke “Kurum”. Kjo e fundit gjithashtu ka kërkuar dëmshpërblim pas kësaj ndodhie. I gjithë dëmi, bëjnë me dije në port, e ka kaluar shifrën e 1 milion eurove.

Reagimi i peshkatarëve

Menjëherë pas publikimit për mediat të raport-ekspertizës, kanë reaguar edhe peshkatarët e dëmtuar. Sipas tyre, “për të mos krijuar debate me kompaninë italiane të sigurimeve në të cilën kompania “Tirrenia” ka siguruar mjetet e saj, ne pronarët e peshkarexhave të mbytura kërkojmë që atyre t’u blihen peshkarexhe të një cilësie me ato që mbytën”. Cilësia e tyre fare mirë mund të përcaktohet në Regjistrin Detar të Durrësit, ku ato kanë qenë të regjistruara. Ndërsa pronarët e anijeve të dëmtuara, të cilat nuk lejohen të dalin në det pasi iu është refuzuar lundrimi për shkak të dëmtimeve, kërkojnë që zhdëmtuesi të paguajë vlerën e riparimit të tyre.

Porti detar i cili është pronari i kalatës së këputur në mes ka kërkuar rindërtimin e saj. Të njëjtën kërkesë kanë depozituar edhe turqit e firmës “Kurum” që janë pronarë të kantierit të riparimit të anijeve. Ata pretendojnë se “ditën e aksidentit trageti u përplas me dokun duke e dëmtuar atë në disa vende”. Këto ditë pritet të vijnë në portin e Durrësit përfaqësuesit e Kompanisë së Sigurimeve Italiane, për të parë në vend atë që ka ndodhur, si dhe për t’u ballafaquar konkretisht me atë që është shkruar në akt-ekspertizë. Trageti është siguruar jo vetëm për aksidentet, por dhe për aksidente që mund të ngjasin për shkak të gabimeve njerëzore, - deklaruan burimet portuale

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›