Më 15 shkurt përcaktohen çmimet e energjisë
• Më 15 shkurt, Enti Rregullator i Energjisë do të miratojë tarifat e reja të energjisë elektrike. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 mars.Sipas strategjisë së Korporatës, çmimi i energjisë duhet të rritet çdo vit deri sa tarifa të barazohet me koston e energjisë. Për 2008-ën, Korporata ka kërkuar ndarjen e çmimit të familjarëve nën 400 dhe mbi 400 kilovat/orë konsum në muaj. KESH-i nuk e ka përcaktuar nivelin maksimal të tarifës, por ka kërkuar nga ERE që çmimi mesatar të jetë 8.43 lekë kilovat/orë. Propozimi për bandën nën 400 kilovat/orë është 7.3 lekë për kilovat. Aktualisht çmimi për familjarët është 7 lekë për kilovat dhe rritja e parashikuar nga KESH është shumë e vogël. Por, sipas llogaritjeve, një rritje tepër e madhe vjen për konsumatorët që konsumojnë mbi 400 kilovat/orë energji. Të dhënat e KESH-it tregojnë se gjatë 2007-ës familjet shqiptare kanë konsumuar rreth 130 milionë kilovat/orë energji.