Zoti Fratini, pse duhen lehtësuar realisht vizat
• Dëshiroj fillimisht t’ju përcjell juve dhe stafit që ju drejtoni përshëndetjet e mia të sinqerta.Jam kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Berat-Albania, qytet në qendër-jug të Shqipërisë, me një antikitet 2400-vjeçar dhe që në themel të ekonomisë së tij ka kryesisht turizmin, artizanatin dhe agro-industrinë. Qëllimi përse vendosa të komunikoj me Ju dhe stafin tuaj, është problemi i lëvizjes së lirë të biznesmenëve, një komunitet shumë i interesuar, zgjidhja e të cilit do t’i jepte një dimension të ri marrëdhënieve ekonomike me BE-në.Sapo jemi njohur me dispozitat e Komunitetit Evropian lidhur me lehtësimin e lëshimit të vizave për titullarët dhe të punësuarit e kompanive shqiptare. Pikërisht për këtë qëllim kemi filluar dhe një tur takimesh me drejtuesit e konsullatave, kryesisht me ato të cilat kemi më shumë kontakte, si ato italiane dhe greke.Por konstatojmë se edhe pse kemi gjetur një mirëkuptim mjaft të mirë, kryesisht në Konsullatën italiane në Vlorë dhe atë greke në Tiranë, përsëri mundësia për të lëvizur në Evropë mbetet e vështirë, pasi është e bazuar në parimin e një garancie nga një kompani evropiane dhe këtë jo çdo kompani shqiptare mund ta sigurojë.Ajo për të cilën do të doja të diskutoja me ju dhe stafin tuaj, është nderimi i principit mbi të cilin është mbështetur AKORDIMI I NJË VIZE për qytetarët shqiptarë dhe në rastin tonë të biznesmenëve.Në procedurat aktuale garant dhe përgjegjës për dhënien e vizës biznesmenit shqiptar bëhet biznesmeni evropian, kur ndoshta mund të jenë dhjetëra viza të parespektuara dhe ndoshta asnjë garant ftesë nuk është “dënuar” për dhunim të ligjit për emigracionin.Por për të lehtësuar vërtet lëshimin e vizave, fillimisht për biznesin, do të doja me kortezi t’ju bëja një propozim, i cili bazohet në një princip krejt të ri, i cili shkarkon garantin dhe përgjegjësinë formale që merrte biznesmeni evropian dhe ia ngarkon garantin dhe përgjegjësinë vizë kërkuesit, biznesmenit shqiptar.Kjo teknikisht duhet të bëhet duke i kërkuar biznesmenit shqiptar të plotësojë disa “Kushte”:1. Dokumente që vërtetojnë se është biznesmen.2. Deklarata noteriale mbi njohjen e ligjit evropian për emigracionin si dhe penalitetet që rrjedhin nga dhunimi i këtij ligji.3. Bllokimi në bankë të një shume të caktuar lekësh si garanci për përdorimin me korrektësi të vizës, e cila do të zhbllokohet me një konfirmim nga konsullata që ka akorduar vizën pas skadencës së saj. Në rast se viza nuk respektohet, kjo shumë të kalojë në favor të shtetit që ka akorduar vizën.4. Siguracion jete në përputhje me kohëzgjatjen e vizës.Mendoj se implementimi i këtij principi të ri për akordimin e një vize fillimisht te komuniteti i biznesit dhe më pas te shtresa të tjera të popullsisë shqiptare, do krijojë përveç përfitimeve ekonomike dypalëshe, por do të përmirësojë shumë imazhin e Shqipërisë në BE.Në pritje të një përgjigje, e cila do të jetë dhe një përgjigje për komunitetin e biznesit të cilin përfaqësoj, gjej rastin dhe një herë për t’ju shprehur ju konsideratat e mia më të larta.Me shumë respektPresidenti i ÇI Berat, Ing. Petraq PICINANE(Kjo është letra e dërguar nga Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Beratit për Franko Fratinin, zv.president i Komisionit Evropian).