Më 16 shkurt, Kuçi VS Sebe

Më 16 shkurt në Prishtinë do të zhvillohet meçi profesionist ndërmjet boksierit nga Shqipëria, Jetmir Kuçi dhe atij nga Rumunia, Mugurel Sebe. Lajmin e ka konfirmuar të martën në një konferencë për media të mbajtur në kryeqytet, Aziz Salihu, promotor i këtij meçi.
“Meçin e kemi titulluar “Kosovë, me fat ditëlindja e tretë në gjirin e shteteve të pavarura”. Qe një muaj kam punuar intensivisht për organizimin e këtij spektakli. Është viti i tretë i Pavarësisë së Kosovës dhe qëllimi im është të bëj një spektakël ashtu si i ka hije për t’u nderuar kjo ditë e madhe”, ka deklaruar Salihu.
“Meçi kryesor do të jetë ai ndërmjet boksierit të shquar shqiptar, Jetmir Kuçi dhe boksierit Mugurel Sebe. Të dy boksierët janë të shquar, ndërsa Kuçi besoj se do të japë tërë energjinë e tij dhe të kënaqë me boks cilësor edhe adhuruesit që do të tubohen në palestër”, shtoi ai. Sipas tij, ky meç zhvillohet prej orës 15:00.
Salihu tha se shumë boksierë nga diaspora kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në këtë eveniment, por nuk ka mundur t’i ftojë për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ai tregoi se para meçit kryesor do të zhvillohen edhe pesë lufta të tjera amatore.