E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 17 prill zgjidhet kryetari i PD Tiranë

09/04/2005  Kryesia e Selisë Blu do të përzgjedhë konkurentët prej 25 emrave të propozuar

Kuvendi i PD-së së Tiranës, nga ku pritet të zgjidhet dhe kryetari i degës, do të mblidhet më 17 prill, disa ditë përpara zhvillimeve të Kuvendit Kombëtar të partisë. Burime në degën e PD-së Tiranë shprehen se lista e emrave më të votuar nga seksionet e kryeqytetit i kanë shkuar tashmë kryesisë qendrore, e cila do të përzgjedhë dy apo tre kandidaturat më favorite. Të njëjtat burime thonë se gara për kryetarin e PD-së Tiranë mbetet e hapur. Mes morisë së emrave, Berishës dhe Kryesisë së PD-së i duhet të zgjedhë 3 apo katër emra, me qëllim që të mos krijohen konflikte në anëtarësinë e Tiranës. Në kryesinë qendrore janë përcjellë 25 emra, ku ndër më të votuarit janë Bamir Topi, Sokol Olldashi, Spartak Ngjela, Bujar Nishani, Omer Stringa, Flamur Shehu, Fatos Beja, Aleksandër Biberaj, Jemin Gjana, ndërkohë që në skenë ka dalë deri-diku edhe emri i Lulzim Bashës, që është dhe koordinator i KOP, strukturë e ngritur vetëm disa muaj më parë. Procesi është ndërlikuar akoma më shumë pas deklarimit të Sokol Olldashit për të kandiduar në Shijak. Në bazë të traditës të Kuvendit të degës së PD-së Tiranë, kryetari është kandidat për deputet në kryeqytet. Gjithsesi, për postin e kryetarit të Tiranës, krerët e PD-së janë të mendimit se duhet një figurë, e cila të ketë përvojë partiake, dhe të njohë mirë strukturat. Përzgjedhja e kryetarit të PD-së së kryeqytetit, tani në prag të zgjedhjeve merr një rëndësi të veçantë për vetë faktin se në të ndodhen rreth një e treta e votuesve dhe do të jetë qyteti ku fushata elektorale do të ndizet më shumë se kudo tjetër.

Emrat e kandidatëve

Bamir Topi

Bujar Nishani

Spartak Ngjela

Sokol Olldashi

Omer Stringa

Jemin Gjana

Lulzim Basha

Aleksandër Biberaj

Flamur Shehu

Fatos Beja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›