Xhufi paraqet konkluzionet e Konventës

09/04/2005 Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, ka dhënë konkluzionet e Konventës së Parë Kombëtare të kësaj partie. Xhufi e ka cilësuar zhvillimin e konventës si "fillimin e një faze të re, asaj të betejës së ardhshme elektorale, ku Lëvizja jonë ka hyrë me ambicje të qarta dhe me vendosmërinë për të fituar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare". Duke i cilësuar të suksesshme punimet e Konventës së Parë Kombëtare, mbajtur në datat 5 dhe 6 prill, Xhufi tha se "Konventa përbën një moment të qenësishëm në historinë e re të LSI. Ajo finalizoi fazën dinamike dhe entuziaste të krijimit të strukturave të LSI dhe të shtrirjes së tyre në të gjithë territorin e Republikës, si dhe jashtë saj, aty ku ekzistojnë komunitete konsistente të qytetarëve shqiptarë". Zëvendëskryetari i LSI-së ka falenderuar të gjithë të ftuarit që morën pjesë në këtë Konventë. Ai tha; "LSI falenderon partitë politike të Shqipërisë, që me praninë e tyre e nderuan Konventën, duke iu përgjigjur frymës dhe gatishmërisë që LSI ka treguar për kontakte e bashkëpunim korrekt me to në të mirë të zhvillimit demokratik e progresit të vendit". Gjithashtu janë falenderuar të gjitha partitë e rajonit, që nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë konventë.