Më 27 prill, Komiteti i PE-së shqyrton raportin e ekspertëve
Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Europian do të mblidhet pasditen e 27 prillit për të dhënë vlerësimin se sa është e gatshme Shqipëria dhe Bosnja për liberalizimin e vizave. Vlerësimi do të bëhet në bazë të raportit të përgatitur nga grupi i ekspertëve të Parlamentit Europian, të cilët ishin të pranishëm në Shqipëri muajin e kaluar. Të dhënat e raportit të ekspertëve në lidhje me përmbushjen e detyrimeve në kuadër të liberalizimit të vizave thonë se Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë progres në përmbushjen e detyrimeve, por se duhet më shumë përpjekje. Ndonëse Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina kanë shanse që të marrin një rekomandim pozitiv nga Brukseli për implementimin e regjimit pa viza, Tirana dhe Sarajeva nuk duhet të “flenë mbi dafina”, pasi duhet të bëjnë shumë punë deri në zbatimin e propozimit për lëvizje pa viza. Pa një progres të mëtejshëm, dy vendet do të duhet të presion gjatë dhe ndoshta të mos përfitojnë nga udhëtimi nga viza siç ishte shpresuar më parë. Raporti i përgatitur nga ekspertët e Bashkimit Europian flet për nivelin e plotësimit të standardeve nga Shqipëria dhe Bosnja. Komisioni Europian pritej që të nxirrte një rekomandim pozitiv në fund të majit ose në fillim të qershorit, por sipas raportit të ekspertëve, disa kritere të reja duhet të përmbushen deri në dhënien e aprovimit. Raporti u dërgua tek vendet anëtarëve të Bashkimit Europian të premten e shkuar dhe nënvizon se të dyja vendet kanë përmbushur “shumicën e kritereve të përcaktuara” çka do të ishin të nevojshme për kalimin në regjimin e atij çka cilësohet “Shengen i bardhë”. Raporti thotë se të dyja vendet kanë përmbushur kriteret e bllokut 1 dhe 4 që flasin për sigurinë e dokumenteve, të drejtat e njeriut, por shihen mangësi sa i takon emigracionit ilegal dhe rendit publik. Teksa ekspertët konsiderojnë se Bosnja ka plotësuar kushtet për bllokun numër 2 që mbulon emigracionin ilegal, nënvizohet se duhet “verifikim i mëtejshëm për strategjinë e riintegrimit të të kthyerve” përpara se Shqipëria të gjykohet mbi përmbushjen e këtyre kritereve. Nëse rekomandimi do të bëhet publik në fund të majit apo javën e parë të qershorit, kjo nuk do të thotë se heqja e vizave është e sigurt. Komisioni Europian ka gjasa të kërkojë kushte shtesë që duhen përmbushur, veçanërisht nga Shqipëria, në disa fusha konkrete që lidhen me kalimin drejt listës së “Shengenit të bardhë”.
#