E Diel, 1 Nëntor 2026

Youngs: Shqipëria, në drejtim të duhur, por me ritme të ngadalta

Intervista Drejtori i institutit studimor FRIDE flet për raportin e fundit mbi vendin tonë

Në një raport për Shqipërinë, Instituti Studimor FRIDE arriti në përfundimin se janë shënuar hapa përpara, por ende mbetet shumë për t’u bërë. Në një intervistë për BBC-në, drejtori i përgjithshëm i këtij instituti me qendër në Madrid, Richard Youngs, thotë se Shqipëria duhet të hedhë hapa për të përmirësuar mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, për të forcuar pavarësinë e medias dhe për të institucionalizuar politikën demokratike.

çfarë metodologjie u përdor për hartimin e raportit të FRIDE-s për Shqipërinë?

Një nga hulumtuesit tanë u konsultua gjerësisht në Shqipëri me një numër aktorësh nga skena politike dhe shoqëria civile, për të pasur një pasqyrë nga terreni lidhur me atë se ku mendohet se ka pasur përparim në reformat ekonomike dhe politike dhe në cilat fusha kërkohet që të ketë më shumë progres nga të gjitha palët e spektrit politik.

Do t'ju pyes pas pak për ato aspekte që nuk kanë shkuar apo nuk po shkojnë mirë, sipas raportit tuaj. Fillimisht, ku është shënuar përparim në Shqipëri?

Mendoj se në shumë fusha kryesore si shteti ligjor, forcimi i institucioneve dhe funksionimi i administratës, pranohet se ka pasur progres gradual dhe kjo është demonstruar edhe në përgjigjet e përgatitura nga Shqipëria për pyetësorin e Komisionit Europian. Në disa aspekte ne arritëm në përfundimin se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, por shpesh ritmet janë më të ngadalta se çfarë shpresojnë shumë vetë. Këto sfida, përgjithësisht, ndeshen në ato që politologët i njohin si ‘regjime hibride’. Fjala është për vendet që po përpiqen të hedhin hapa drejt krijimit të demokracive të konsoliduara, por që ende kanë shumë për të bërë.

Cilat janë disa nga fushat më problematike, zoti Youngs?

Fushat më problematike ku ne pamë se ekziston shqetësim dhe ku kërkohet hedhja e hapave sa më urgjente, janë: së pari - funksionimi i shtetit ligjor. Ekziston perceptimi se Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të tjera të rajonit në këtë pikë dhe se ekziston mundësia për kryerjen e reformave të tjera; së dyti - çështja e pushteteve të ndara, sidomos ndarja e pushtetit ekzekutiv nga ai gjyqësor; së treti - mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet. Sigurisht, u pranua se zgjedhjet e qershorit të kaluar shënuan një hap përpara, por, pavarësisht nga kjo, ekziston mendimi se duhet të hidhen hapa për të rritur shkallën e ndershmërisë së zgjedhjeve. Dua të përmend edhe dy fusha të tjera ku ne vlerësojmë se duhet të hidhen hapa të mëtejshme - pavarësia e medias dhe lufta kundër korrupsionit. Sigurisht, janë hedhur disa hapa edhe në këto fusha, por ekziston mendimi se Shqipëria mund të arrijë shumë më tepër progres.

Përmendët mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve si një nga aspektet më problematike. Po situatën politike që po vazhdon prej disa muajsh pas zgjedhjeve të 28 qershorit, si e konsideroni?

Në këtë raport ne nuk synojmë të mbajmë ndonjë qëndrim politik partiak. Ne jemi përpjekur të shohim përtej kësaj situate që ka ekzistuar në Parlament pas zgjedhjeve dhe jemi përqendruar në disa hapa strukturore që mund të hidhen për konsolidimin e demokracisë që ekziston në Shqipëri. Pra, jemi përqendruar në këto katër apo pesë fusha, për të përcjellë mesazhin se ato janë çështje që duhen trajtuar sapo të zgjidhet situata aktuale politike. Këto nuk janë sfida vetëm për këtë vend. Shqipëria duhet të inkurajohet nga progresi që ka arritur deri tani por, nga ana tjetër, duhet të shohë edhe nga vendet e tjera për të marrë edhe përvojën e tyre në zgjidhjen e sfidave të vështira që kanë mbetur.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›