E Diel, 1 Nëntor 2026

“Më 28 qershor do të votojmë për projektet e mëdha”

16/06/2009  Kryerepublikani Mediu premton në Berat vazhdimin e reformave

Mediu analizon arritjet e sukseset gjatë katër vjet të qeverisjes së djathtë

Kryetari i Partisë Republikane ka deklaruar gjatë një takimi elektoral në qytetin e Beratit se vota për forcën politike që drejton, shndërrohet në një mbështetje të fuqishme për një të ardhme të sigurt europiane të Shqipërisë. Kryerepublikani Mediu u shpreh se duke votuar PR-në qytetarët e Beratit kanë votuar për fëmijët e tyre, për çdo burrë dhe grua që do të vazhdojë rrugën nëpërmjet punës. Ai theksoi se mbështetja për PR-në përkthehet në një mbështetje të patjetërsueshme për prindërit, për vlerat më të mira europiane, për pronarët. “Ne do të shkojmë të gjithë të votojmë më 28 qershor, do të shkojmë të votojmë për projektet tona, për vijimin e tyre, për ëndrrat tona, për fëmijët dhe familjen tonë të madhe shqiptare. Unë kam bindjen se Berati meriton përfaqësuesit më të mirë në politikë dhe besoj se Partia Republikane i ka gjetur më së miri këta përfaqësues”, - deklaroi numri një i PR-së. Duke prezantuar kandidatët për deputetë, Mediu u shpreh se lista e kandidatëve republikanë për Qarkun e Beratit kryesohet nga Astrit Veliaj, një njeri i cili ka investuar dhe po investon që fëmijët të kenë një edukim sa më të mirë, me standarde sa më të larta. Sipas tij, arsimi është një prioritet shumë i rëndësishëm dhe se ashtu siç edukohen fëmijë sot, do të jenë e ardhmja nesër. Kreu i PR-së ka bërë një analizë të arritjeve dhe sukseseve të mazhorancës së djathtë parlamentare, pjesë e së cilës është edhe PR-ja, gjatë katër vjetve të mandatit të parë qeverisës. Ai tha se gjatë këtyre viteve u investua në infrastrukturë për ta bërë Shqipërinë më afër shqiptarëve. “Realizuam projekte të mëdha si rruga Durrës–Kukës, e cila mbart vlera të mëdha shpirtërore dhe do të jetë arterie e rëndësishme e ekonomisë së shqiptarëve. Investuam në arsim, shëndetësi, energjetikë dhe ekonomi, sepse kishim dhe kemi bindjen se shqiptarët meritojnë më të mirën dhe se politika duhet të bëj atë çfarë është më e mirë për ta, të mbrojë interesat dhe të ketë të njëjtat prioritete me ta”, - tha Mediu. Ai premtoi se këto investime nuk do të ndalojnë, por do të vijojnë edhe gjatë mandatit të dytë qeverisës. Kreu i PR-së tha se forca politike që drejton ka qenë dhe do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, duke dhënë kontributin e saj “në të vetmen mënyrë që ne republikanët dimë me seriozitet dhe përkushtim”.

Çështja e pronës

Kryetari i i Partisë Republikane ka deklaruar nga Berati se gjatë mandatit të dytë qeverisës përfaqësuesit republikanë në Kuvend do të kërkojnë me insistim zgjidhjen e çështjes së pronës. “Zgjidhja përfundimtare e kësaj çështjeje është për republikanët një detyrë përballë së drejtës”, - deklaroi Mediu. Duke vënë theksin në rëndësinë e zgjidhjes së këtij problemi, Mediu tha se ky është një kush i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›