E Diel, 1 Nëntor 2026

Nard Ndoka akuza ndaj Kryeministrit Berisha

16/06/2009  Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka është shprehur shumë ashpër ndaj Kryeministrit Sali Berisha gjatë një takimi elektoral në qytetin e Librazhdit. Ai ka deklaruar se kreu i qeverisë është i pabesueshëm edhe për vetë Partinë Demokratike, gjë e cila, sipas tij, provohet me mbërritjen në PDK të anëtarëve dhe ish-drejtuesve të PD-së. Gjatë këtij takimi Ndoka ka cilësuar si mashtrime të ulëta deklaratat e Berishës në drejtim të tij pak ditë më parë në Vaun e Dejës. “Një kryeministër që në tri zgjedhje bën tri deklarata të ndryshme, shpreh krizën jo vetëm si drejtues i PD-së, por edhe si politikan. Në vitin 2001, kohë në të cilën unë drejtoja grupin parlamentar të reformatoreve, Berisha gjatë takimeve të zhvilluara në zonën time elektorale deklaroi se ‘vota për Nard Ndokën është votë për Fatos Nanon’. Në vitin 2005, kur si koalicion u grupuam kundër së majtës në pushtet, Berisha deklaron se ‘vota për Ndokën është votë kundër së majtës, është votë për Sali Berishën’. Ndërsa sot, në një miting të zhvilluar po në zonën time elektorale, deklaron se ‘vota për Ndokën është votë për Edi Ramën. Berisha është kthyer në një Nastradin, që me trillimet e tij kërkon t’u imponojë shqiptarëve votën dhe lirinë e mendimit”, - theksoi Ndoka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›