E Shtunë, 31 Tetor 2026

Status ligjor Qarkut të Tiranës si metropol

16/06/2009  Kreu socialist Edi Rama bëri një tjetër premtim për banorët e kryeqytetit

“Do të ruhet autonomia e njësive vendore si dhe një zhvillim i qëndrueshëm rajonal”

Kreu socialist Edi Rama shpalosi një tjetër projekt të partisë që drejton lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të Qarkut të Tiranës. Kështu, socialistët me ardhjen në pushtet, në rast fitoreje të së majtës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, premtojnë dhënien e statusit ligjor të metropolit Qarkut të Tiranë, i cili sipas tyre do të sjellë shërbime të integruara në të gjithë qarkun, si dhe rritje të punësimit në këtë qark. Një premtim i tillë u bë nga vetë kryetari i PS-së Rama gjatë prezantimit të kandidatëve të Qarkut të Tiranë në komunën e Farkës. “Do t’i japim status të ri ligjor Qarkut të Tiranës si metropol i Shqipërisë, duke i hapur rrugë një zhvillimi të ri, me një ritëm të ri, me një shpejtësi të re kryeqytetit dhe të gjitha zonave të tjera, që nga Dajti deri në Rrogozhinë e Kavajë, që nga Farka deri në Vorë, Ndroq e Kashar, duke u zhvilluar me një shpejtësi të re si një metropol i integruar, me shërbime të integruara. Me shërbim ujësjellësish të integruar, me shërbim transporti të integruar, me shërbim arsimi e shëndetësie të integruar. Duke ruajtur autonominë e të gjitha njësive vendore, por duke i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm rajonal”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në këtë takim. Madje, duke dashur të sqarojë më tej projektin e PS-së, sa i takon kësaj çështjeje kreu socialist vuri në dukje se “banorët dhe banoret e kryeqytetit kanë një arsye të thjeshtë për të votuar më 28 qershor për mua dhe për Partinë Socialiste: që transformimet e bëra në këta vjet t’i përshpejtojmë dhe të bëjmë në 4 vjetët e ardhshëm më shumë se ç’kemi bërë në 8 vjetët e shkuar të marra së bashku në Tiranë. Gjithashtu, sipas tij, dhe ato që banojnë rreth Tiranës kanë po ashtu një arsye madhore, e cila ka të bëjë me domosdoshmërinë që edhe komunat përreth, edhe bashkitë e tjera të këtij qarku, deri në Kavajë, të mund të zhvillohen me ritmin e Tiranës. “Kjo në mënyrë që të gjithë qytetarët e qytetaret e qarkut tonë të jenë qytetarë e qytetare të metropolit të ri të Shqipërisë dhe të një metropoli të ri në rajonin e Ballkanit. Për kryeqytetin dhe për të gjithë Qarkun e Tiranës do të hapet një faqe e re në historinë tonë të përbashkët”, - u shpreh Rama, duke vënë theksin në bindjen se përmes këtij projekti “kryeqyteti do të zhvillohet disa herë më shpejt, ndërsa Qarku do të zhvillohet disa dhjetëra herë më shpejt”. Njëkohësisht, qëndruar po në këtë çështje, Rama deklaroi se “i gjithë Qarku i Tiranës, metropoli i ri i Shqipërisë, me një status të ri ligjor dhe me një projekt të ri zhvillimi do të jetë një lokomotivë e fuqishme, që do të rrezatojë në mbarë Shqipërinë dhe do të tërheqë pas të gjithë Shqipërinë”. Po gjatë ditës së djeshme Rama zhvilloi një vizitë në spitalin pediatrik të Seluadin Bekteshi, ku u angazhua për ndryshim radikal në shërbimin shëndetësor në vend pas 28 qershorit. Sipas tij, sistemi shëndetësor që do të ngrejë PS-ja pas 28 qershorit do të jetë shërbim shëndetësor universal, që nuk do t’u shërbejë vetëm atyre që paguajnë sigurime, por do u shërbejë të gjithëve.

Sistemi shëndetësor

“Ne jemi të bindur se sistemi shëndetësor i bazuar në sigurime është i falimentuar, është i korruptuar, është tërësisht i kalbur. Fakti që e gjithë përgjegjësia ju transferohet mjekëve dhe janë kthyer mjekët dhe infermierët në shënjestër për të gjuajtur me baltë gjithë ditën e ditës, është shprehja më e degjeneruar e këtij sistemi. Ky është një sistem që duhet ndryshuar rrënjësisht, dhe ne do ta transformojmë.”

Statusi i metropolit

“Do t’i japim status të ri ligjor Qarkut të Tiranës si metropol i Shqipërisë, duke i hapur rrugë një zhvillimi të ri, me një ritëm të ri, me një shpejtësi të re kryeqytetit dhe të gjithë zonave të tjera, duke u zhvilluar me një shpejtësi të re si një metropol i integruar, me shërbime të integruara, duke ruajtur autonominë e të gjitha njësive vendore, por duke i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm rajonal.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›