Tërbuni 6-1 ndaj të rinjve dinamovitë, priten edhe 3-4 përforcime
Tërbuni është nga të parat skuadra të Kategorisë së Parë që nisi përgatitjet për sezonin e ri. Presidenti Petrit Syla është munduar gjatë kësaj merkatoje verore që të krijojë një grup solid, i cili nuk synon mbijetesën në të parën, por të jetë një ekip surprizë dhe pretendent. Pukajnët nën drejtimit e trajnerit Edmond Dalipi prej javësh po përgatitet me intensitet të lartë dhe kjo punë e kryer është materializuar edhe në ndeshjet miqësore që kanë zhvilluar, ku spikat fitorja 2-1 me Kukësin, i cili e ka marrë me vrull Superligën. Por ndonëse merkatoja e Tërbunit ka qenë voluminoze, presidenti Petrit Syla kërkon më të mirën dhe në ditët në vijim pritet që grupi të përforcohet edhe me tre-katër futbollistë me eksperiencë, të cilët do të plotësojnë kërkesat dhe nevojat e stafit teknik. Në kuadër të përgatitjeve të fundit për fillimin e sezonit të ri, dje Tërbuni ka zhvilluar miqësoren e radhës, ku përballë pukjanëve kanë qenë një ekip të rinjsh amatorësh të Dinamos. Edhe në këtë sfidë të djeshme Tërbuni ka dominuar duke e fituar takimin me rezultatin tenistik, 6-1.
