E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Me Italinë do të jetë një sfidë speciale, më mirë ta eliminojmë

Brazili për momentin konsiderohet i kualifikuar për të luajtur në gjysmëfinalet e Kupës së Konfederatave dhe po e përjeton me qetësi të madhe pragndeshjen e ditës së sotme ndaj Kombëtares së Italisë. Por, për të gjithë lojtarët dhe në veçanti për "italianët" ose për ish-ët që kanë luajtur më parë në Serinë A, si Kaka, kjo sfidë ka një domethënie shumë të madhe. "Ata e kanë humbur ndeshjen e fundit të tyre ndaj Egjiptit dhe nuk do të duan në asnjë mënyrë që të humbasin një tjetër", ka komentuar ish-futbollisti i Milanit, Rikardo Kaka, në një intervistë të dhënë për edicionin "online" të së përditshmes braziliane "O Globo". "Në këtë ndeshje do të luhet për vendin e parë në grup dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Për mua, në mënyrë të veçantë, do të jetë një sfidë speciale, për shkak të asaj që Italia përfaqëson në jetën time si futbollist", ka shtuar blerja më e re e spanjollëve të Realit të Madridit. "Unë jam më se i përgatitur për të luajtur kundër Italisë, së pari sepse luaj atje, në Milano, dhe së dyti sepse njoh shumë nga futbollistët që luajnë në Kombëtaren ‘azzurro‘", ka thënë më pas Maikon, mbrojtësi brazilian i Interit, i cili duket se ka fituar vendin e titullarit, duke triumfuar ndaj rivalitetit të mbrojtësit të Barcelonës, Daniel Alves.

Ndërsa Filipo Melo thekson se është në ankth për takimin e së dielës. Në ndeshjet e deritanishme të Kupës së Konfederatave, ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë në radhët e Brazilit, për të cilën ka marrë edhe shumë komplimente nga të gjithë. Tani ka arritur në një pikë ku shtypi brazilian e konsideron një titull fiks të skuadrës që ka fituar më shumë tituj kampione bote. "Të përballesh me Italinë në çfarëdolloj rrethane, është gjithnjë e rëndësishme. Kam luajtur sezonin e parë në kampionatin e Serisë A dhe e di se sa e vështirë mund të jetë kjo ndeshje", është shprehur mesfushori i Fiorentinës. Ndërkohë që Robinjo, autori i njërit nga dy golat me të cilat Brazili ka mundur Italinë në miqësoren e shkurtit të shkuar në Londër, nuk i ka kursyer fjalët vlerësuese për "azzurr"-ët, edhe pse kundërshtari është mundur nga Egjipti: "Italia ndaj Egjiptit edhe mund të ketë humbur", ka thënë Robinjo për ‘O Globo‘-n, por vazhdon të ketë një skuadër me kualitete të mëdha".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›