U-17 dhe U-19, dy barazime me Maqedoninë
Kombëtaret U-17 dhe U-19 zhvilluan miqësore me moshatarët e tyre maqedonas. Të dyja ndeshjet përfunduan me barazim. Kombëtaret U-17 u ndeshën në Durrës. Skuadra jonë kryesoi në pjesën e parë të ndeshjes me një gol të shënuar nga Valmir Nafiu i ekipit Shkëndija, por maqedonasit barazuan në pjesën e dytë dhe ndeshja përfundoi barazim 1-1. Ndërkohë, maqedonasit U-19 pritën homologen kuqezi në Ohër, ku u zhvillua edhe ndeshja. Maqedonia kaloi në avantazh e para me golin e shënuar nga Aleksandar Stankov i skuadrës holandeze Roda Kerkrade, por lojtarët tanë e morën veten shpejt dhe ia dolën të kthenin rezultatin me golat e Sadikut e Konit. Dukej se ndeshja do të përfundonte me fitoren e shqiptarëve, por fatkeqësisht, në minutat shtesë, maqedonasi Poposki ia doli mbanë të shënonte, duke bërë të mundur që edhe ndeshja e kombëtareve U-19 të mbyllej me barazim 2-2.