E Hënë, 2 Nëntor 2026

Me Kekon, një ditë para Dashurisë

14/02/2005  Duke firmosur në një nga kopertinat e albumit poetik të Teodor Kekos, i pari në llojin e tij, poeti Besnik Mustafaj shkruan...”Poezitë e dashurisë, midis veprës së gjerë që Keko na ka lënë trashëgim, më ngjajnë me ca manushaqe në një pyll të madh lisash. Pa to ky pyll do të dukej padyshim më i varfër e më pak i dashur. Ato manushaqe kanë lindur aty nga dëshira e tokës për të treguar një pasuri e një delikatesë të veten të brendshme, që kurorat e rënda të lisave janë përpjekur deri në fund ta bëjnë të paqenë, duke i mbyllur dritaren e qiellit për t’i krijuar zymtinë që lë mungesa e diellit. Teodor Keko, pra, e kapi në thelb dramën e bashkëkohësve të vet, dhe e shprehu atë mjeshtërisht në romane, novela e tregime. Por, kur ka ndjerë nevojë të shprehë veten, vetëm veten e tij të vërtetë, brishtësinë e shpirtit të vet, që ishte energji për dashurinë, fjalët i kanë ardhur me një ritëm tjetër. Dhe kjo është poezia. Prandaj, dhe poezitë e tij lexohen me endje e po ashtu edhe këndohen....”

Mbrëmë, një natë para Shën Valentinit, fryma e Teodor Kekos ka ardhur veç për dashurinë. Në House of Arts, është promovuar albumi më 33 poezi, që flasin vetëm për dashurinë në vargje të Kekos të lënë në harkun kohor prej vitit 1980 deri në vitin 1997. E gjitha është e përmbledhur në katër vëllime. Ndërsa poezitë, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë promovim i këtij lloji, janë interpretuar nga aktori i mirënjohur Timo Flloko. Bashkë me poezitë, në këtë miks vargjesh disa prej tyre janë kënduar, të cilat njihen tashme si vargje të shtatë këngëve të kompozuar nga Ardit Gjebrea dhe Pirro Çako gjatë këtyre dy viteve të fundit.

Ideja për të realizuar një album me poezitë e dashurisë lindi nga bashkëshortja e poetit, Xhuljeta Keko. Më pas, për realizimin e tij punuan apo bashkëpunuan të afërm e miq të poetit si Teuta Keçi, Fatmir Minga, Suad Barbullushi, Natasha Bega, Adem Rreli, Shpëtim Saraçi e shumë të tjerë. Albumi u bë i mundur të realizohet falë, dashamirësisë së kompanisë DHL, Bankës Credins, kompanisë Mabetex dhe studios Rreli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›