E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Monacon, në nivele evropiane

Emir Bajrami ka ambicie të mëdha me Monacon, së cilës iu bashkua gjatë kësaj vere nga Twente. Nami që ka klubi francez në Evropë e bëri futbollistin kosovar që ta pranojë ofertën e këtij klubi, përkundër faktit se garon në ligën e dytë franceze. Përfaqësuesi suedez synon që me këtë ekip t’i arrijë nivelet evropiane.

“Gjatë tërë karrierës sime kam luajtur për skuadrat që dëshirojnë të fitojnë tituj. Për këtë kam arritur edhe në Monaco. Leage 2 është në një nivel më të lartë se që kam menduar, edhe pse mendoj se do të ketë beteja edhe më të mëdha. Monaco është një sfidë e madhe për mua. Bëhet fjalë për një klub të madh evropian dhe është e nevojshme ta ngrisim në nivelin e tij”, tha Bajrami në konferencë për shtyp.

“Unë ndihem më mirë, kam filluar të stërvitem para dy javësh. Po punoj që të jem 100 për qind. Kemi ende nevojë për ta gjetur lojën tonë më të mirë, por për momentin po fitojmë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, vazhdoi ai.

24 vjeçari është ftuar nga selektori Erik Hamren për ndeshjen kualifikuese për botërorin ‘Brazili 2014’ ndaj Kazakistanit. “Emiri është një lojtar interesant, i cili ka pasur paraqitje të mira gjatë eliminatoreve për Evropianin 2012. Ai luan në një klub të mirë siç është Monaco dhe bashkërisht do të koncentrohen për t’u rikthyer në ligën e parë franceze”, ka thënë trajneri suedez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›