E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa e Greuther Furthit

Ilir Azemi javën e kaluar debutoi në Bundesligë me skuadrën e Greuther Furthit. Sulmuesi kosovar po konsiderohet si shpresa e ekipit gjerman, derisa ka marrë premtime nga trajneri se do ta ketë rastin edhe në ndeshje tjera.

Përveç Xherdan Shaqirit (Bayern Munchen), Granitë Xhakës (Monchengladbach) e Adrian Nikçit (Hannover) javën e kallur në elitën e futbollit gjerman ka debutuar edhe një futbollist tjetër kosovar.

Ai është sulmuesi Ilir Azemi, i cili aktivizohet te skuadra e Greuther Furthit. Sulmuesi kosovar i ka zhvilluar 30 minuta, duke u inkuadruar në lojë në minutën e 62-të ndaj Bayern Munichut në vend të senegalezit Fall Baye Djiby.

Ndërsa gazeta e përditshme gjermane Bild shkruan se 20 vjeçari është shpresa e Greuther Furthit.

“Kam bërë përgatitje mjaft të mirë dhe trajneri më ka thënë se nëse vazhdoj me këtë ritëm, do ta kem rastin tim”, theksoi ai në një intervistë për Bild.

Sfida e radhës për Greuther Furthin do të jetë Mainzi, me të cilin do të takohet të premten mbrëma në ndeshjen e parë të xhiros së dytë të Bundesligës gjermane.

Azemi nuk e ka marrë me eufori këtë takim, edhe pse atij mund t’i jepet minutazh edhe më i madh ose ndoshta edhe ta fillojë lojën nga minuta e parë. “Gjithçka shkon hap pas hapi. Kam nevojë për lojë, por nuk mendoj më shumë”, ka vazhduar ai.

Azemi që nga viti 2007 është pjesë e skuadrës së Greuther Furthit. Ai me sukses ka kaluar thuajse në të gjitha gjeneratat e këtij ekipi.

Sezonin e fundit ka mbrojtur ngjyrat e ekipit të dytë dhe me paraqitjet e shkëlqyeshme ka bindur drejtuesit e klubit që ta transferojnë në ekipin e parë, duke nënshkruar kontratë profesioniste deri në vitin 2015.

Përpos Azemit, në ekipin e rikthyer në elitën e futbollit gjerman luan edhe një tjetër futbollist kosovar. Ai është Mërgim Mavraj, i cili është kapiten i Greuther Furthit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›