E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me ceremoni emërohen 18 nënkomisarë të rinj

21/05/2009  Të pranishëm ishin edhe ministri Bujar Nishani e kryepolici Ahmet Prençi

Ministri i cilësoi zgjedhjet e 28 qershorit një provë të rëndësishme për policinë e shtetit

TIRANE- Dje 18 punonjës policie që ishin kryeinspektorë kanë marrë gradën e “Nënkomisarit”. Ceremonia e gradimit të tyre u zhvillua dje në ambientet e Qendrës së Formimit Policor, në të cilën kishin marrë pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, Drejtues të Lartë të Policisë së Shtetit si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që asistojnë në policinë e shtetit. Gjatë fjalës së tij drejtori Ahmet Prençi u shpreh tepër i entuziazmuar, pasi kjo ditë përkon me ditën e parë kur diskriminimi brenda radhëve të policisë merr fund. “Sot po merr jetë përfundimisht sistemi i ri i ecjes në karrierë, jo më mbi bazë të përkatësisë rastësore, më së shumti, kur çdokush që hynte në polici si punonjës i nivelit zbatues, ishte i destinuar të pensionohej në këtë nivel, apo kur për shkak të trafikut të influencave, apo çdo lloj tjetër influence të pamoralshme, titulloheshin oficerë dhe kapërcenin derën e pakalueshme për në nivelin e parë drejtues, individë pa asnjë meritë individuale”, u shpreh kreu i policisë së shtetit Prençi. Ndërkohë që në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u shpreh se në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE-së, policia e shtetit ka dhënë kontributin e saj, duke vënën nën kontroll krimin e organizuar, i cili ishte problem në jetën e shqiptarëve. “Ky status i dedikohet profesionalizimit dhe aftësisë së punonjësve të të gjitha niveleve, nga ai me gradë më të lartë deri tek ai me gradë më të ulët”, u shpreh Nishani. Ndërkohë që ministri i Brendshëm i cilësoi zgjedhjet e 28 qershorit një provë të rëndësishme për policinë e shtetit, e cila vjen me një eksperiencë të konsoliduar, ku policia e shtetit ka treguar se ajo është një institucion i distancuar nga debati politik dhe punën e saj e mbështet vetëm tek ligji.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›