E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Me djalin tim ka abuzuar Dino Kristodulu”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Nëna e 7-vjeçarit, me të cilin është abuzuar në qendrën “Fëmijët e tij” ka akuzuar në sallën e gjyqit një prej të dyshuarve në këtë proces. “Me djalin tim ka abuzuar Dino Kristodulu. Kur merrja djalin në shtëpi dhe e mbaja tri ditë më kritikonin. Djali më ka thënë disa herë se Dino bënte veprime të turpshme me të”, - ka deklaruar para togave të zeza nëna e 7-vjeçarit. Gjatë dëshmisë së saj, e ëma e 7-vjeçarit nuk ka përmenduar asnjëherë David Braunin si abuzues, por ka deklaruar se e njihte, pasi e kishte parë disa herë në shtëpinë ku mbaheshin fëmijët. Në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Tiranës, i dyshuari kryesor në këtë ngjarje, David Braun, ka mohuar akuzat, duke u justifikuar me pretendimin se është impotent.
Seanca
Dëshmi rrëqethëse trondisin procesin e David Braunit. Një 7-vjeçar, me të cilin është abuzuar në qendrën “Fëmijët e tij”, i ka treguar së emës se Dino e ngacmonte gjithmonë. Nëna e vogëlushit ka pohuar para togave të zeza se djalin e ka çuar në vitin 2004 në këtë qendër. “Një ditë kur e mora djalin në shtëpi, më thotë se Dinoja më ngacmonte nga mbrapa, më bënte gjëra të pista. Unë i thashë burrit dhe ai më rrahu. Me djalin tim ka abuzuar Dinoja, madje kur merrja djalin dhe e mbaja në shtëpi 2-3 ditë, ata më thoshnin të mos e mbaja aq shumë”. Ndërsa në lidhje me dyshimet mbi David Braunin, nëna e 7-vjeçarit ka deklaruar se djali nuk i kishte treguar asgjë në lidhje me të.
Pretendimet
Britaniku David Braun, i cili dyshohet për abuzime seksuale me disa të mitur të qendrës “Fëmijët e tij” në Tiranë, ka deklaruar dje në seancën gjyqësore se është impotent dhe nuk mund të kryejë marrëdhënie seksuale. Këtë pretendim, i akuzuari për pedofili, Braun, e ka dhënë pas përgjigjeve të analizave të një klinike, rezultatet e të cilave, sipas tij, vërtetojnë impotencën.
Por pretendimet e 56-vjeçarit janë hedhur poshtë nga akuza. Në seancën e djeshme prokuroria ka sjellë rezultate të një klinike tjetër, të cilat, sipas tyre, vërtetojnë të kundërtën. Prokuroria ka deklaruar para togave të zeza se britaniku Braun nuk është impotent, se problemet shëndetësore të Braunit nuk e pengojnë të kryejnë aktivitet seksual.

Arrestimi
David Braun u vu në pranga në maj të vitit 2006. Skandali u zbulua pas arrestimit të një të mituri, i cili dyshohej për vjedhje. Oficerët e policisë zbuluan se në qendrën ku strehohej i mituri ishte abuzuar seksualisht. Pas arrestimit të Braunit, u zbulua se me fëmijët kishin abuzuar dhe dy bashkatdhetarët e tij, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold, të cilët u ekstraduan pak kohë më parë nga Britania. Pak ditë pas arrestimit të Braunit, në pranga është vënë edhe kuzhinieri i kësaj çështjeje, Janaq Papleka.
Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›