E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë hetimet për masakrën e Cërrikut

Autori i Lajmit: red.
Hetimet për ngjarjen e rëndë të 23 majit të vitit 1997 në Cërrik, ku si pasojë e një sulmi me armë zjarri u vranë 6 punonjës të Gardës së Republikës, ndërsa u plagosën disa të tjerë, janë në fazën përfundimtare. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur të mërkurën se grupi hetimor po realizon procedurat e fundit të hetimit për këtë çështje, për ta dërguar më pas atë për shqyrtim gjyqësor. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në cilësinë e të pandehurit, prokuroria ka marrë 9 persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje, disa prej tyre të arrestuar vitin që shkoi gjatë operacionit të koduar "Autoblinda". Të pandehurit akuzohen se në maj të vitit 1997, në Cërrik, kanë zënë pritë dhe kanë sulmuar me armë zjarri autokolonën e Gardës së Republikës dhe forcat e Policisë së Elbasanit, që kishin shkuar në qytezën e vogël për të vendosur rendin publik gjatë trazirave të atij viti, duke vrarë 6 punonjës të Gardës së Republikës dhe plagosur disa punonjës të Policisë së Elbasanit.
Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›