E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një tjetër i arrestuar dhe 10 dosje false

Autori i Lajmit: red.
Arrestohet një tjetër i dyshuar për abuzimet me pensionet. Ndërkohë që janë zbuluar dhe 10 dosje të tjera me shkleje. Pas arrestimit disa ditë më parë të katër ish-zyrtarëve të lartë të minierës së Priskës, një tjetër person është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit. Qemal Caka, 41 vjeç, nga Tirana, është arrestuar mbrëmjen e së martës në kuadër të operacionit të koduar “Qelia e hapur 2”, kur specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit, në Sektorin kundër Krimit Financiar, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale, sekuestruan sërish një sërë dokumentesh zyrtare që vërtetonin falsifikimet e bëra nga Caka. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, një ditë më parë, mësohet gjithashtu se për periudhën kohore të viteve 1998 deri më vitin 2004, në bashkëpunim me punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore si dhe persona të tjerë të implikuar, 41-vjeçari ka përgatitur kundrejt përfitimit rreth 10 dosje pensionesh, me dokumente të falsifikuara. Policia tha se për çdo falsifikim të bërë, Caka u kërkonte personave që do të përfitonin pension në mënyrë të jashtëligjshme, një shumë prej 900 mijë lekësh të vjetra. Sipas të njëjtave burime, mësohet se janë bërë verifikime të njëpasnjëshme të dokumentacionit mes dosjeve të pensioneve në kryeqytet dhe jo vetëm aty, ku duket se dhe rastet e shkeljeve dhe abuzimeve sa vijnë e dalin në pah. Zbulimi më i fundit nga Sektori i Krimit Financiar ka qenë Qemal Caka, një 41-vjeçar me banim në Tiranë, i cili kundrejt ryshfeteve të majme, dyshohet të ketë falsifikuar 10 dosje pensionesh.
Detajet janë bërë të ditura nga të dhëna të policisë së kryeqytetit menjëherë pas arrestimit të tij, sipas të cilave, pas një hetimi disamujor, me synim kapjen dhe dokumentimin e këtij aktiviteti, u konkludua se Caka këtë veprim e kryente kundrejt shumës prej 900.000 lekësh për çdo shtetas.
Gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën e tij, iu gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sërë dokumentesh shkresore për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në mgarkim të tij i kaluan Prokurorisë për konsumim të veprave penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim të dokumenteve” si dhe “Falsifikim të akteve të gjendjes civile” të kryera në bashkëpunim.
Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›