E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis takimi i G8, diskutohen çmimet e ushqimeve dhe karburantet

Dje nisi takimi i tetë vendeve më të industrializuara të botës në Toyako, Japoni, ku fokusi i ditës së parë të bisedimeve ishin rritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. 

Takimi treditor nisi nën masa shumë të forta sigurie me rreth 20 mijë forca policore të dërguara nga qeveria, duke e izoluar kështu qytetin e vogël në ishull. Udhëheqësit e G8 zhvilluan bisedime me udhëheqësit afrikanë në ditën e parë të takimit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun u bëri thirrje udhëheqësve të G8-ës, që të përballen me “sfidat e ndërlidhura” të rritjes së çmimeve të ushqimeve, zhvillimit e ndryshimit të klimës. Ndryshe nga sa kishte shpresuar qeveria japoneze, bisedimet në ditën e parë nuk u përqendruan në ndryshimin e klimës, por duket se shqetësimet globale lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve do të jenë dominuese. Ban Ki Mun, tha në takim se udhëheqësit e G8-ës duhet ta përdorin samitin e tyre për të trajtuar sfidat e zhvillimit, ndryshimit të klimës dhe çmimeve ushqimore në rritje. “Bota përballet me tri kriza të njëkohshme, një krizë ushqimore, një krizë të klimës dhe një krizë të zhvillimit. Të tria krizat janë të ndërlidhura shumë me njëra-tjetrën dhe duhen trajtuar si të tilla”, tha ai. Ban Ki Mun u bëri atyre thirrje krerëve të vendeve të G8, që të punojnë për një marrëveshje të re për të goditur ndryshimin e klimës, që po shkakton tashmë probleme në Afrikë. Krahas presidentëve apo kryeministrave të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Kanadasë, Rusisë, SHBA-së dhe Francës, në takimin ishte ftuar edhe presidenti kinez Hu Xhintao.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›